Site icon Telegrafi

Sejdiu: Nëse nuk votohet buxheti i vitit 2021, i gjithë sistemi i financave shtetërore mund të jetë jo funksional

Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu, ka thënë se nëse nuk votohet buxheti i vitit 2021 ka mundësi që i gjithë sistemi i financave shtetërore të jetë jo funksional.

Sejdiu përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nëse nuk votohet buxheti, nuk do të ketë paga e as pagesa bizneseve për punët publike si dhe transferet sociale do të ndalen.

“D.m.th nëse nuk votohet buxheti i vitit 2021, mundësi reale ka që i gjithë sistemi i financave shtetërore të jetë jo-funksional. Pra paga nuk do ketë, pagesa bizneseve për punët publike nuk do bëhen, transferet sociale do ndalen. Kësaj mund t’i themi, sërish vjen Marsi”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Ndryshe, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti me çka edhe zyrtarisht vendin e çon drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, ka gjetur vendin në këtë fundvit pa miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2021.

Vetë kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, Bashkimi Evropian dhe komuniteti i biznesit kanë kërkuar që të votohet buxheti para se vendi të shkojë në zgjedhje.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka thënë se, nuk duhet të filloj viti 2021 pa miratimin e Projektbuxhetit.

Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi kishte kërkuar që të votohet buxheti për vitin 2021, pasi sipas tij, bllokada buxhetore do të prodhojë situatë të bllokadës së pagesave për sektorin publik nga muaji mars 2021.

Të njëjtën kërkesë e kanë pasur dhe nga partitë tjera politike, si PDK-ja, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate, etj.

Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.

Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2.4 miliardë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version