Site icon Telegrafi

Së shpejti do ta marrim vesh nëse celularët funksionojnë në gjithësi

Tani për tani nuk dihet se cili celular do të dërgohet në gjithësi, por është e sigurt se ai do të jetë i bazuar në sistemin operativ Android të kompanisë Google. Celulari do të shfrytëzohet për kontrollin e satelitit 30 centimetra të gjatë, dhe për fotografimin e Tokës nga gjithësia në misionin i cili është planifikuar të ndodhë në fund të këtij viti, raporton BBC.

Kjo do të jetë hera e parë se një pajisje e tillë apo e ngjashme merret në mision dhe rri pezull disa qindra kilometra nga Toka.

“Telefonat e mençur modern janë me të vërtetë të pabesueshëm”, ka thënë menaxheri i SSTL-së Shaun Kenyon, duke shtuar se qëllim i misionit është të shihet nëse celulari mund të kontrollojë satelitin.

Po ashtu, kompania SSTL me këtë orvatje ka për qëllim të zbulojë nëse ekziston elektronikë më e lirë e cila do të mund të shfrytëzohej gjatë ndërtimit të anijeve kozmike.

SSTL në këtë projekt punon me qendrën hapësinore nga Surrey. /Telegrafi/

Exit mobile version