Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emannuel Macron, janë të përgatitur të punojnë me grupet rebele siriane që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad me kushte të caktuara.
Udhëheqësit e dy fuqive më të mëdha të Bashkimit Evropian mirëpritën largimin e Assadit, i cili i kishte shkaktuar “vuajtje të tmerrshme popullit sirian dhe dëme të mëdha në vendin e tij”, transmeton Telegrafi.
Udhëheqësi sirian u largua nga Damasku për në Moskë të dielën, duke i dhënë fund më shumë se 50 viteve të sundimit brutal nga familja e tij.
“(Scholz dhe Macron) ranë dakord se ata janë të përgatitur të punonin së bashku me sundimtarët e rinj mbi bazën e të drejtave themelore të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave etnike dhe fetare”, thuhet në deklaratën e qeverisë gjermane të publikuar të hënën vonë.
Deklarata erdhi ndërsa qeveritë në mbarë botën po përpiqen të krijojnë lidhje të reja me fraksionin kryesor rebel të Sirisë, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një grup më parë aleat me Al Kaedën dhe që është cilësuar një organizatë terroriste nga SHBA, Bashkimi Evropian, Turqia dhe Kombet e Bashkuara.
“Scholz dhe Macron ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar angazhimin e BE-së në Siri, duke përfshirë mbështetjen për një proces politik gjithëpërfshirës në Siri, dhe do të diskutojnë rrugën përpara në koordinim të ngushtë me partnerët në Lindjen e Mesme”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/