Site icon Telegrafi

Schmidt: Dodik duhet ndalur, ai është shkaktari kryesor i krizës në Bosnje

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt, përsëriti se udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik është shkaktari kryesor i krizës aktuale në shtetin boshnjak dhe njoftoi se planet për të krijuar ushtrinë e Republikës Serbe, nuk do të lejohen të zbatohen në terren.

“Ushtria e Republikës Serbe nuk do të formohet”, tha Schmidt në një intervistë të sotme për Zërin e Amerikës në gjuhën boshnjake.

Schmidt ndodhet aktualisht në Shtetet e Bashkuara, ku po diskuton situatën në Bosnje me zyrtarë të administratës amerikane, ndërsa më parë u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel.

Politikani gjerman tha se bashkëbiseduesit, si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, i kishin thënë se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë NATO-n, nuk do të shikonte me qetësi ndërsa Dodik vinte në dyshim mbijetesën e forcave të armatosura të BeH.

Ndryshe, mekanizmi i quajtur “Berlin Plus” ka ekzistuar që kur NATO i dorëzoi Bashkimit Evropian misionin ushtarak SFOR në BeH dhe lejon Aleancën të ndërhyjë ushtarakisht në atë vend në rast të kërcënimit të drejtpërdrejtë të paqes. /Telegrafi/

Exit mobile version