Site icon Telegrafi

SBASHK: MASHT-i të veprojë për ta stabilizuar gjendjen në shkollat e Kamenicës, në të kundërtën do të ketë greva

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, për reformën në arsim në shkollat e kësaj komune.

SBASHK-u përmes një njoftimi për media ka thënë se ideja e Kastratit është kundërshtuar nga nxënësit, prindërit dhe punëtorët arsimor.

“Ideja e pamatur dhe e pa analizuar fare e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, që në emër të “reformave” të mbyll shkolla, u kundërshtuan që nga fillimi nga nxënësit, prindërit dhe punëtorët arsimor. Ky kundërshtim u mbështet arsyeshëm nga SBASHK-u dhe u tha qartë se nuk do të lejohet të mbyllet as një shkollë sepse ato nuk janë pronë e Kastratit, po janë vatra arsimore të nxënësve dhe mësimdhënësve të Busavatës, Tugjevcit, Strezovcit e Krilevës. Kastrati u mundua të ndikojë te opinioni me deklarata të pasakta se bëhet fjalë për shkolla me nga një nxënës, por e vërteta në këto shkolla është krejt tjetër”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu SBASHK: Viti i ri shkollor fillon me greva

Sipas njoftimit, prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit në këto fshatra qëndrojnë në mbrojtje të shkollave të tyre dhe kanë përkrahjen e kolegëve nga Kamenica dhe e tërë Kosova.

“Mësimi po vazhdon të mbahet edhe në këto shkolla, por Kastrati vazhdon po ashtu me idenë e tij. Në këtë situatë kur gjendja në shkollat në Kamenicë është alarmante e me qëllim që të kthehet atmosfera e punës e pa stres e presione, SBASHK i drejtohet publikisht MASHT-it që të veprojë në stabilizimin e gjendjes atje. Të shoh nga afër situatën në shkollat e këtyre fshatrave dhe në të gjitha të tjerat dhe të merr masa, si themelues i institucioneve të arsimit, që atje të ketë tekste shkollore, ditarë e mjete të tjera të nevojshme pune dhe t’i mbrojë mësimdhënësit, nxënësit e prindërit në Kamenicë nga tekat dhe idetë e pa analizuara e të dëmshme të kryetarit Kastrati”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo po ashtu Paralajmërimi i SBASHK-ut për greva në shtator mund të ketë prapavijë politike?

Tutje SBASHK-u përmes këtij njoftimi thekson se nëse MASHT përmes zyrtarëve të lartë e të inspektorëve nuk vepron tani, gjendja do të komplikohet edhe më shumë.

“Gjendja e tillë do të sjellë edhe te greva dhe përplasjet mes palëve dhe për këtë përgjegjësinë do ta bartë kryetari Kastrati, por edhe ata që duhet të veprojnë për stabilizimin e gjendjes. Çdo ditë e humbur pa veprim konkret e rëndon edhe më situatën në shkollat e Kamenicës”, thekson SBASHK. /Telegrafi/

Exit mobile version