Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është ndaluar nga EULEX-it të premten në mbrëmje.
Ai është dërguar në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë, ku aktualisht është duke u intervistuar.
Ndalimin e tij për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku.
“Nuk e dimë arsyen se pse është ndaluar. Nuk ka pasur ftesë për paraqitje. Aktualisht jemi te zyrat e EULEX-it. Sipas informacioneve që kemi, Sami Lushtaku tani është duke u intervistuar. Me të ndodhet edhe avokati i tij”, ka thënë Lushtaku.
Për ndalimin e Sami Lushtakut ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.
“Siç po raportohet në media, Specialja e paska ndaluar në këto orë të vona z. Sami Lushtaku. Përveç spektakleve të vazhdueshme që po bëhen nga kjo pseudogjykatë, të ndalohet njeriu në rrugë pa kurrfarë paralajmërimi, kjo është edhe një poshtërsi e tyre e radhës”, ka shkruar Klinaku në Facebook.
Sami Lushtaku ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën e Drenicës.
Ndryshe, Specialja dje ka bastisur shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së Sylejman Selimi.
Telegrafi ka provuar të marr më shumë informacione lidhur me motivin e ndalimit të Lushtakut dhe do t’ju mbajë të informuar me rastin. /Telegrafi/