Site icon Telegrafi

Sami Kurteshi jep mbrojtjen e tij lidhur me akuzat për sulm në zyrat e KQZ-së

I akuzuari Sami Kurteshi ka dhënë mbrojtjen e tij në Gjykatën e Prishtinës më 23.04.2024 lidhur me akuzat për sulm në zyrat e KQZ-së.

Kurteshi akuzohet se në gushtin e vitit 2021 kishte sulmuar një person brenda zyrave të KQZ-së, me arsyen se i njëjti nuk kishte bartur maskë anti- Covid.

Kurteshi tregoi se atë ditë kishte pasur mbledhje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kishte parë një person duke qëndruar pranë  aparatit të kafesë pa maskë.

Sipas Kurteshit, herën e parë nuk kishte marrë përgjigje kur e kishte pyetur pse nuk e ka të vendosur maskën. Ndërsa herën e dytë, i akuzuari tha se personi pa maskë i ishte përgjigjur.

“As nuk e vendosi (maskën) e as nuk dal jashtë”- citoi palën e dëmtuar i akuzuari Sami Kurteshi.

Kurteshi deklaroi t’i ketë thënë tashmë palës së dëmtuar, Adnon Berishës: “Ti  del jashtë tash menjëherë”.

Pas këtij kontakti verbal që kishin mes vete, i akuzuari tha se e ka shtyrë nga mbrapa të dëmtuarin për ta larguar nga dera, gjë për të cilën nuk ka pasur rezistim nga Berisha.

“E kam hapë derën e zyrës time, e kam lënë çantën, e kam lënë në zyrën time edhe kam shku e kam shty nga mbrapa të dëmtuarin. E kam shty nga mbrapa, e kam afru deri te dera, nuk ka rezistuar, as një fjalë nuk e ka folë“- tha Kurteshi.

Për këtë rast versionet e tyre nëse kishte apo jo sulm brenda zyrave të KQZ-së dhanë Kastriot Mustafa dhe Shkëmb Krasniqi.

Që të dy deklaruan se Kurteshi e kishte shtyrë tashmë të dëmtuarin pasi që nuk kishte të vendosur maskën.

Pas deklarimit të të akuzuarit, rasti ka kaluar në fazën e dhënies së fjalëve përfundimtare.

Gjyqtari Sabit Sadikaj caktoi 29.04.2024 si datë kur do të jepen fjalët përfundimtare.

Aktakuza, e cila përfaqësohet nga prokurori Eset Rama, ishte ngritur më 20.12.2021. Rasti kishte filluar të procedohet me “ndërmjetësim” por që nuk kishte arritur që të përfundohet me procedurë alternative.

Lidhur me rastin, i cili sipas Prokurorisë ka ndodhur në gusht të vitit 2021, Kurteshi ishte deklaruar i pafajshëm, raporton Kallxo.

Exit mobile version