Armando Sadiku ka shënuar sot (e shtunë) golin e tij të 9-të në 15 ndeshje në kampionatin zviceran, por më i rëndësishëm është fakti që ky gol ndihmoi skuadrën e Luganos për të mundur Vaduzin dhe për t’u ngjitur në vendin e tretë në renditjen e kampionatit zviceran.
Golashënuesi shqiptar, ka realizuar në minutën e 16 të ndeshjes, me një goditje të shkëlqyer me kokë, duke dërguar topin në rrjetën e skuadrës të cilën e ndihmoi një vit më parë të mbijetonte në elitën e futbollin zviceran, por që mund ta ketë dënuar me rënien në këtë sezon.
Ndeshja mbaroi me rezultatin 2-1 dhe tashmë bën të sigurt pjesëmarrjen e Luganos në Ligën e Evropës në sezonin e ardhshëm, transmeton PanoramaSport.
Por ngjitja deri në vendin e tretë është një arritje edhe më e jashtëzakonshme duke menduar se vetëm në janar, skuadra ishte e përfshirë në luftën për mbijetesë.