Skender Sadiku, Zëvendës kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si po menaxhohet procesi i ndërtimit të shtëpive në veri, duke e cilësuar si të kriminalizuar dhe të korruptuar.
Sadiku shprehu shqetësimin se kthimi i shqiptarëve në shtëpitë që u dogjën gjatë dhe pas luftës po bëhet në një mënyrë të pandershme dhe të pa dinjitetshme.
Edhe pse përmendi angazhimin pozitiv të humanistit Halil Kastrati, i cili së bashku me Qeverinë po planifikon të ndërtojë mbi 200 shtëpi në veri, ai theksoi se banorët, pavarësisht etnisë, meritojnë një trajtim më dinjitoz.
“Procesi i kthimit është kriminalizuar, ka korrupsion dhe mungon dinjiteti. Pavarësisht punës së madhe që ka bërë zoti Halil Kastrati, është ironike që 25 vjet pas luftës Qeveria ende nuk ka arritur të sigurojë një kthim të denjë për banorët e veriut. Ata nuk e meritojnë që shtëpitë e tyre të ndërtohen nga një organizatë humanitare si ‘Jetimat e Ballkanit’,” tha Sadiku në një intervistë për RTVDukagjin.
Sadiku theksoi se kthimi i banorëve në veri duhet të jetë një proces që respekton dinjitetin e çdo individi, pavarësisht prejardhjes etnike, duke apeluar për më shumë angazhim nga Qeveria për të siguruar një kthim të drejtë dhe të barabartë./Telegrafi/