Sa e doni klubin tuaj të futbollit? Nëse përgjigja është ‘nuk mjafton për të bërë tatuazh të gjithë trupin me fanellën e klubit’, atëherë nuk e doni klubin aq sa Mauricio dos Anjos.
Shumë tifozë futbolli janë lyer me ngjyrat e klubit të tyre, ose kanë bërë tatuazh në trupin e tyre një kreshtë, ose ndonjë shenjë tjetër të skuadrës që do ta duan përgjithmonë.
Megjithatë, shumica nuk shkojnë aq larg sa braziliani Dos Anjos, i cili me të vërtetë shkoi shumë larg për Flamengon në vitin 2018, kur bëri tatuazh fanellën e tyre në trupin e tij.
35-vjeçari u fut plotësisht me artin e tij të trupit, duke vendosur fanellën në të gjithë trupin e tij, me sa duket duke hequr qafe nevojën për të veshur një bluzë sa herë që viziton Maracana.
Sipas Vice, arti i trupit zgjati një vit të tërë, duke marrë 32 seanca të cilat rezultuan në 90 orë që ai kishte bërë tatuazhin. Kjo tingëllon si shumë dhimbje për të përfunduar si një fanellë që vlenë pak më shumë se 40 euro.
Dos Anjos shpjegoi pse vendosi të bënte fanellën e Flamengos tatuazh në trupin e tij: “Gjithmonë kam dashur të bëj një tatuazh për Flamengon, që kur u bëra tifoz si fëmijë”.
“Kam marrë një shkaba [nuskë e ekipit] me mburojën e Flamengos në biceps tim. Vitin e kaluar vendosa të bëj një tatuazh të fanellës, gjë që në fakt do të doja ta bëja prej kohësh”.
“Por, mendova se do të ishte shumë e shtrenjtë, mbi katër mijë euro. Kështu që zgjodha të marr diçka më të vogël, që mbulonte vetëm një pjesë të shpatullës dhe gjoksit tim”.
“Artisti i tatuazheve kërkoi 200 euro, por ndërsa biseduam ai më tha se do ta bënte të gjithë fanellën pa kosto shtesë, vetëm për ekspozimin”.
I pyetur nëse kishte ndonjë pishman për tatuazhin, Dos Anjos mbase pa befasi tha: “Më beso, nuk jam penduar kurrë”.
Ndoshta vepra artistike ka ardhur disi me fat për klubin e Rio de Zhaneiros, ata nuk e kishin fituar Copa Libertadores që nga viti 1981, por e fituan përsëri në 2019.
Skuadra arriti në finale edhe vitin e kaluar dhe u mund vetëm nga Palmeiras, i cili fitoi titullin e dytë radhazi. /Telegrafi/