Rusia ka thënë se do të përpiqet të nxjerr nga uji mbetjet e dronit të ushtrisë amerikane që ra në Detin e Zi, pas një incidenti me aeroplanët luftarakë rusë, duke akuzuar Uashingtonin për “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” në luftën në Ukrainë.
Dje, ushtria amerikane tha se një aeroplan luftarak rus goditi helikën e dronit ndërsa fluturonte mbi Detin e Zi në hapësirën ajrore ndërkombëtare, duke shkaktuar rrëzimin e tij, transmeton Telegrafi.
Rusia mohon të jetë përgjegjëse për rrëzimin, dhe tha se marrëdhëniet me SHBA-në kanë arritur në “pikën më të ulët”.
Sekretari i Këshillit për Siguri i Kremlinit, Nikolai Patrushev, tha sot në televizionin rus Rossiya-1: “Nuk e di nëse do të jemi në gjendje ta nxjerrim apo jo, por duhet bërë”.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, një dron i ushtrisë amerikane po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur u përplas nga njëri nga dy aeroplanët luftarakë rusë.
Madje nga Washingtoni thanë se aeroplanët rusë fillimisht e kishin spërkatur me derivat dhe derisa njëri prej aeroplanëve po fluturonte poshtë tij, kur tentoi të ngrit lart “hundën”, me “bisht” goditi helikën e dronit.
E kjo nuk i la zgjidhje operatorit të dronit të ushtrisë amerikane, që më pas e rrëzoi në Detin e Zi. Nga Shtëpia e Bardhë njoftuan se nuk kanë arritur ta gjejnë aeroplanin. /Telegrafi/