Site icon Telegrafi

Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

Javën e ardhshme (të enjten më 24 tetor), në Bruksel do të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Takimin e kryenegociatorëve, Besnik Bislmi – Kosovë dhe Petar Petkoviq – Serbi, e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj takimin e kryenegociatorëve në Bruksel më 24 tetor”, tha Stano.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version