Site icon Telegrafi

Rugova formon tri Komisione për vlerësimin e dëmeve që ka shkaktuar era

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka thënë se pas gjendjes së shkaktuar nga erërat e forta, ai ka formuar tri Komisione të cilat do t’i vlerësojnë dëmet.

Rugova ka bërë të ditur se ka formuar Komisionin për vlerësimin e gjendjes të institucioneve publike, Komisionin për vlerësimin e gjendjes të infrastrukturës rrugore dhe Komisionin për vlerësimin e gjendjes në bujqësi, transmeton Telegrafi.

Kurse sa i përket, vlerësimit të dëmeve në shtëpitë private, Rugova ka theksuar se do të formojnë Komision të veçantë i cili do të dalë së shpejti në terren për konstatimin e dëmeve.

“Pas gjendjes së shkaktuar nga erërat e forta që kanë goditur komunën tonë, gjatë natës së mbrëmshme, sot kam mbledhur Komitetin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Komandantin e Stacionit Policor në Istog, Forcat e Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të KEDS-it, si dhe Drejtoritë përkatëse për të diskutuar dhe vlerësuar së bashku dëmet e shkaktuara. Sot kam formuar komisionet për: vlerësimin e gjendjes të institucioneve publike, vlerësimin e gjendjes të infrastrukturës rrugore, si dhe vlerësimin e gjendjes në Bujqësi”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Ndryshe, Komuna e Istogut është ndër komunat që më shumti është prekur nga erërat e fuqishme që kanë përfshirë rajonin e Dukagjinit. /Telegrafi/

Exit mobile version