Site icon Telegrafi

Rruga deri tek ulësja në Këshillin e Sigurimit

Ditët e fundit mora personalisht një nga kënaqësitë e jashtëzakonshme lidhur me kohën kur kam shërbyer në diplomaci e në politikën e jashtme të Republikës sonë: Shqipëria u votua gjerësisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të qenë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimi për dy vjetët e ardhshme (2022- 2023). Ish–ambasadori i Shqipërisë në OKB në vitet 2006-2007, Adrian Neritani, pati mirësinë të më dërgonte nga Nju-Jorku një urim shumë domethënës, duke më sjellë në kujtesë edhe punën e madhe që ka bërë asokohe misioni ynë në OKB, kur edhe u vendos kjo kandidaturë. Do thënë se diplomacia jonë nuk kishte asnjë përvojë në ndërtimin e projekteve të tilla afatgjata. Deri atëherë, përfaqësitë tona në organizatat ndërkombëtare kishin ndjekur zakonisht praktikën e reagimit rast pas rasti mbi zhvillimet ndërkombëtare të ditës, duke shprehur me përparësi qëndrimin e Republikës së Shqipërisë për ngjarjet, ku ndërthureshin drejtpërdrejt apo tërthorazi interesat e shtetit tonë apo edhe të kombit tonë (Kosova).

Kësaj here, ne po synonim të mbillnim një pemë, e cila do të lulëzonte pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Për hir të së vërtetës, do thënë se as politika në pushtet në Tiranë nuk ishte mësuar me një projekt të tillë, frytet e të cilit, pa asnjë pikë dyshimi, do t’i korrte natyrshëm një qeveri tjetër. Po në këtë periudhë (2006), ne hodhëm një hap tjetër të ngjashëm, duke vendosur kandidaturën për të marrë presidencën e OSBE-së për vitin 2020, siç edhe ndodhi. Ishin dy ëndrra shumë të bukura, të cilat do të realizoheshin në një kohë kur unë për veten time të paktën e dija shumë mirë se do të isha jashtë politikës, larg pushtetit.

Këto nisma, për më tepër të jashtëzakonshme në historinë një të shtetit tonë, nuk mund të merreshin në mënyrë autonome nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ato detyrimisht parapriheshin nga një shqyrtim serioz dhe pastaj vendim politik i qeverisë. Tanimë që edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit u bë fakt dhe, me të drejtë, po përshëndetet gjithandej si një fitore historike, është krejt me vend që një përgëzim shumë i ngrohtë t’i shkojë Sali Berishës, i cili, me atributet e larta të kryeministrit në atë periudhë, u ngrit përmbi traditën e kryeministrave shqiptarë paraardhës, të cilët gjithçka bënin me qeveritë e tyre, e kishin të lidhur me zgjedhjet e radhës. Pa mirëkuptimin dhe mbështetjen e fuqishme të kryeministrit Berisha në vitin 2006, Shqipëria nuk do ta kishte marrë presidencën e OSBE-së në vitin 2020 dhe as nuk do të ishte ulur në karrigen e anëtarit të Këshillit të Sigurimit në vitin 2022. Historia është Histori.

Ajo që sot po përshëndetet si “fitore historike e diplomacisë tonë”, në fakt është arritur gjatë vitit 2006 dhe pranverës 2007. Ndaj, mirënjohja e parë dhe më kryesorja i takon trupës së diplomatëve tanë, që shërbenin në atë periudhë. Atëherë u mor miratimi dhe premtimi për votimin, i cili formalisht u krye këto ditë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Negocimi ishte jo vetëm një qasje e re në veprimtarinë e tyre si diplomatë, por edhe një punë me përgjegjësi të madhe, që kërkonte seriozitet dhe profesionalizëm të lartë. Vota për të marrë një ulëse në Këshillin e Sigurimit është besim i veçantë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare ndaj një vendi, një shteti, dhe nuk jepet kurrë si dhuratë. Diplomatët tanë duhej t2 i bindnin qysh atëherë të tjerët se Shqipëria i kishte kapacitetet njerëzore për të përballuar barrën e rëndë dhe delikate, që ka anëtari i këtij Këshilli. Faleminderit, të dashur kolegë, që besuat dhe u përkushtuat për t2 i dhënë Shqipërisë një mundësi të tillë për të kontribuar në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.

Marrja e miratimit për një votim që do të kryhej pas 15 vjetësh, ka veçantitë e veta dhe kërkon shpesh ndërhyrje deri në nivelet më të larta politike, në mënyrë që të zërë vend në memorien e Ministrisë së Jashtme të çdo vendi, për t’u respektuar në kohën e duhur. Unë vetë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm në atë periudhë, e kam pasur temë të rëndësishme në bisedimet me dhjetëra e dhjetëra homologë, përfshirë edhe Sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice apo ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Për më tepër që Shqipëria e kërkonte për herë të parë në historinë e saj një ulëse në Këshillin e Sigurimit. Nuk ishte lehtë të fitoje besimin e tyre. Më është dashur shumë herë t2 iu jap siguri kolegëve nga vende të mëdha apo më të vogla, se politikanët shqiptarë, të cilët do të ishin në pushtet në vitin 2020 apo 2022, do të tregonin aftësi dhe përgjegjshmëri të plotë në përmbushjen e detyrimeve ndaj bashkësisë ndërkombëtare për rolin që do t2 u besohej. Për veten e tyre, ata ishin të bindur se pasardhësit e tyre do e respektonin marrëveshjen që po arrinim ne. Dhe ashtu doli. Në votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ditët e fundit, kandidatura e Shqipërisë mori mbështetjen e 175 vendeve. Përtej falënderimeve zyrtare, që ata kanë marrë nga qeveria shqiptare, unë kam një dëshirë të sinqertë për t’i falënderuar edhe personalisht.

Tani mbetet që qeveria shqiptare ta shndërrojë në sukses për imazhin dhe autoritetin ndërkombëtar të Shqipërisë mundësinë që po i jepet si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në dy vitet e ardhshme. Është rasti të kujtojmë me keqardhje se Presidenca shqiptare e OSBE-së gjatë vitit të kaluar ishte pothuaj një dështim. Fakt është se rrethanat e paparashikuara të pandemisë së COVID-19 e reduktuan shumë veprimtarinë e kësaj organizate. Por, për Shqipërinë, e cila nuk kishte de facto ministër të Punëve të Jashtme, kjo rrethanë shërbeu gjithsesi për ta fshehur dobësinë e kryesimit shqiptar. Edi Rama, me vesin e tij të pashërueshëm për protagonizëm personal vend e pa vend, e mori vetë drejtimin e këtij procesi. Në kushtet kur OSBE do të kishte qenë në aktivitet të plotë, vendet anëtare të saj do të kishin pasur rast me tepri të shihnin sa i papërshtatshëm është ai për të vepruar në mjediset e diplomacisë ndërkombëtare. Edi Rama nuk ka as karakterin dhe as kulturën për të ndërhyrë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kam shpresë se në qeverinë që do të krijohet në shtator, ai do të gjejë njeriun e duhur për të udhëhequr trupën diplomatike shqiptare të paktën gjatë dy viteve të ardhshme, duke i dhënë peshë anëtarësisë sonë në Këshillin e Sigurimit. /Gazeta “Panorama”/

Exit mobile version