Rrufeja ka dëmtuar një hark 1,700 vjeçar pranë Koloseumit të Romës në Itali, duke bërë që blloqe mermeri të bien në tokë.
Bëhet e ditur se një stuhi e fuqishme hoqi pjesë nga Harku i Konstandinit, strukturë kjo e lashtë dhe rreth 20 metra e lartë.
Punëtorët nga Parku Arkeologjik i Koloseumit u panë duke rikuperuar blloqet e rëna, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në një deklaratë, organizata tha: “Puna e rikuperimit nga teknikët ishte në kohë. Punëtorët tanë mbërritën menjëherë pas goditjes së rrufesë. Të gjitha fragmentet u gjetën dhe u siguruan”.
Gjithashtu, stafi me anë të vinçit u ngrit lart dhe vlerësoi shkallën e dëmit të shkaktuar.
Ndryshe, struktura besohet se u ndërtua në vitin 315 pas Krishtit për të festuar fitoren e perandorit Konstandin mbi Maxentius, pas betejës së urës Milvian.
E njëjta stuhi rrufeje që shkaktoi dëmet ka rrëzuar edhe pemë dhe ka përmbytur rrugët në kryeqytetin italian. /Telegrafi/