Vetëm gjatë vitit të kaluar 2 mijë e 160 qifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës të tyre. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin vjetor i bëri të ditura këto shifra, duke shtuar se komuna me numrin më të madh të divorceve është Prizreni (189 raste), ose 8.8% duke u pasuar nga Prishtina (175 raste), ose 8.1% dhe Podujeva (141 raste), ose 6.5%.
Në lidhje me numrin e madh të shkurorëzimeve në Kosovë, sociologia Flakë Ymeri në një prononcim për Telegrafin tha se faktorët kryesor, të cilët po ndikojnë në rritjen e divorceve janë martesat në moshë të re dhe diferencat në moshë tek të martuarit gjithashtu.
“Fenomeni i divorcit në shoqërinë tonë është çdo ditë në rritje. Si faktorë kryesorë që po vie deri tek divorcet janë krijimi i lidhjeve në moshë të re apo edhe diferencat e mëdha në moshë, mospërputhje në mendime si konflikt gjeneratash. Martesat e hershme sigurisht qe ndikojnë dhe pas një kohe mund të qojnë edhe drejt divorcit sepse mos vetëdija për përgjegjësin e cila na e sjell jeta martesore. E po ashtu formimi i personaliteti i cili është në atë moshë ndikojnë që shumë çifte të bëjnë zgjidhje të gabuara e që pastaj mund t’i thyejnë shumë emocionalisht për një kohë shumë të gjatë.”, tha ajo.
Ymeri tutje shtoi se edhe kushtet e rënda ekonomike po dërgojnë deri tek konflikti mes bashkëshortëve dhe pastaj deri tek ndarja e tyre.
“Faktorë të tjerë janë kushtet e rënda ekonomike, rritja e obligimeve familjare dhe mos përmbushja e tyre çojnë në konflikte që si përfundim dërgon tek divorci. Mos përmbushja emocionale dhe humbja e kujdesi ndaj partnerëve, jetesa në bashkësi familjare dhe në familje patriarkale. Pastaj arsyet tjera janë mospërballimi i presionit dhe mos toleranca për të zhvilluar jetë sipas planifikimi të familjes, i shtynë që çiftet të kenë konflikte dhe të përfundojnë në divorc. Por ka edhe faktorë të tjerë shoqëror e social”, u shpreh Ymeri.
Sociologia theksoi faktin që gjetja e një gjuhe të përbashkët tek bashkëshortët do të ishte idealja për të pasur harmoni dhe familje të shëndetshme.
“Rekomandimet nga ana ime janë qe familja të shihet si e shenjtë dhe të gjithë të kenë kujdes kur duan t’i futen rrugëtimit bashkëshortorë dhe të jenë të gatshëm që përgjegjësit dhe obligimet që do t’i sjell jeta. T’i përballojnë se bashku të mos hedhet faji nga njëri partner tek tjetri por gjërat të përballohen dhe të tejkalohen së bashku e sidomos për çiftet që kanë fëmijë të kenë kujdes se si ata sillen me njëri -tjetrin në sytë e fëmijëve sepse prindërit konsiderohen model ideal për fëmijët. Por nëse jeta na sfidon dhe kemi barriera te pa tejkaluashme atëherë një divorc do te ishte me i shëndetshëm për të dy sepse fëmijët nuk meritojnë të shohin raport jo te mirë mes prindërve apo dhunë qe është e pa tolerueshme”, përfundoi ajo.
Ndërkaq psikologu Yll Avdijaj, thotë se faktorët të cilët zakonisht ndikojnë deri në ndarjen e çifteve janë mos mungesa e njohurive mbi martesën, tradhtia bashkëshortore.
“Arsyet që mund të çojnë deri në divorce, zakonisht janë të shumta dhe të ndryshme, mirëpo këtu mund të përmendim vetëm disa nga to, si psh: mos marrja e përgjegjësive në bashkëshortësi dhe familje, mungesa e njohurive mbi martesën, tradhtia bashkëshortore, mos durimi ndaj njëri-tjetrit dhe problemeve brenda familjes, botëkuptimet dhe konceptet e kundërta për stilin e jetës; pastaj si arsye tjera këtu mund të hyjnë edhe dhuna sistematike qoftë ajo fizike, psikike dhe emocionale”, tha ai.
Se divorci mes prindërve ka ndikim edhe tek fëmijët e tyre e thotë edhe psikologu Avdijaj.
“Viktimat e divorceve zakonisht janë femijet, ata që pësojnë më së shumti, te të cilët lehtë mund të afektohen disa problematika ne aspektin psiko-emocional si: humbje e vetëbesimit dhe vetëvleresimit, humbje e motivit për jetë, gjendje depressive, ndjenja e të qënurit i tepërt, jo-stabilitet emocional, ankth, mendime negative për imazhin e vetvetes, ndjenja e fajit (ku fëmija e ndien veten fajtor për divorcin e prindërve)”, u shpreh Avdijaj.
Mirëpo se çfarë duhet të kenë parasysh çiftet para se të vendosin për divorc, tregon psikologu.
“Çiftet të cilat marrin vendim për t’u divorcuar duhet të dinë paraprakisht për seriozitetin e këtij vendimi dhe pasojat dhe vështirësitë që mund të bartë me vete, si në aspektin psiko-emocional, social dhe atë juridik”, tha Avdijaj.
Ai tha po ashtu në fund kishte edhe një këshillë për çiftet të cilët mendojnë t’i japing fund martesës së tyre.
“Çiftet të cilat po kalojnë periudha konfliktuoze në martesen e tyre, fillimisht u rekomandohet që të konsultohen me psikologun, psikoterapistin të cilët merren me trajtimin e problemeve në çifte. Le të jetë kjo një prove për të rregulluar cështjen paraprakisht; mirëpo në rastet kur nuk parashihet zgjidhje tjetër përpos divorcit atëherë vlen që të trajtohen në mënyre që të parapergatiten për vështirësitë dhe sfidat të cilat do t’i kenë pas vendimit te divorcit”, përfundoi Avdijaj./Telegrafi/