Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, krahasuar me muajin dhjetor 2023 kishte rritje të numrit të përfituesve nga skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara me 14.5 për qind, skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë me 11. 9 për qind, skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 me 5.1 për qind.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ka pasur rritje me 3.9 për qind, skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike me 2.9 për qind, skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara me 2,9 për qind, skema e pensioneve bazike të moshës me 2,9 për qind dhe skema për veteranët e luftës 0.3 për qind, raporton KosovaPress.
Ndërsa, sipas ASK-së në muajin dhjetor 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës me 20. 8 për qind, skema për pensionet invalidore me 14.9 për qind dhe skema e ndihmës sociale me 11. 1 për qind.
Po ashtu rënie patën edhe skema për pensionet familjare 3.9 për qind, skema e kompensimeve për personat e verbër me 2.1 për qind, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës me 1.7 për qind dhe skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës 1.3 për qind. /Telegrafi/