Rritja e çmimeve të produkteve, e çmimit të rrymës dhe drurëve për ngrohje, ka bërë që në shoqatën “Agimi i bamirësisë” të rriten kërkesat për të marr drurë për ngrohje pa pagesë. Visar Xhaferit nga kjo shoqatë tregon se vite më parë numri i atyre që kanë kërkuar drurë pa pagesë kanë qenë rreth 30 deri në 50 familje, ndërsa këtë vit numri është 80.
“Këtë vit janë bërë 80 dhe është rekordi i numrit, nga ana tjetër është problem i çmimit, ku lirisht mund të themi se është dyfishuar, vitin që e lamë pas kishim 50 familje, ku me një ndihmë tjetër me një shoqatë bashkëpunëtore nga Kosova arritëm t’i mbulojmë familjet, ne donim të bëjmë një thirrje pasi që deri më tani kemi pas një ndihmë vetëm për familje për shkak të dyfishimit të çmimit, tjetra është se numri nevojtarëve është rritur shumë dhe nuk është vetëm për këtë sferë, por edhe me kutitë ushqimore, ne kemi një numër të caktuar ku mundohemi çdo tre muaj t’i ndihmojmë dhe me pako ushqimore, edhe vetëm në këtë periudhë kemi 120 familje edhe ne nuk arrimë t’u përgjigjemi të gjithëve”- deklaroi Visar Xhaferi, Aktivsit.
Nga “Agimi i bamirësisë” thonë se rritja e çmimeve ka ndikuar që ata të mos mund të ndihmojnë të gjitha familjet nevojtare, pasi me mjetet që dispononin, vitet e kaluara kanë mundur të furnizojnë më shumë familje, ndërsa tani me të njëjtën shumë të mjeteve që grumbullohen nga njerëzit bamirës, nuk mund të mbulojnë gjithë kërkesën që kanë për ndihmë ndaj nevojtarëve.
“Ne kishim një mesazh dhe bëjmë thirrje tek njerëzit donator, në veçanti mërgimtarët por nuk i anashkalojmë edhe institucionet, shoqatat, qeverinë, komunat, ministritë, ambasadat, pasi që kjo çështje është bërë tepër serioze, sidomos për familje, e dimë që nuk kanë të hyra, janë gra vejusha me fëmijë jetim që nuk kanë asnjë të ardhur dhe çdo natë duhet të ndezin diçka, pasi që bën ftohtë dhe këtë mund ta dimë edhe vetë pasi që ne jemi në këtë qiell dhe ngrohemi në këtë qielli”- pohoi Visar Xhaferi, Aktivsit.
Nga kjo shoqatë thonë se ata që duan të ndihmojnë, këtë mund ta bëjnë duke shkuar në këtë shoqatë dhe të marrin përsipër familje nevojtare duke u dërguar dru për ngrohje ose pako ushqimore./tv21