Reshjet e shiut që po vazhdojnë të bien në disa pjesë të Kosovës, kanë shkaktuar sërish vërshime dhe kanë ngritur rreziqet për dalje nga shtrati të shumë lumenjve.
Në një situatë të tillë është edhe komuna e Mitrovicës, ku niveli i ujit në lumin Sitnica është rritur dukshëm.
Drejtori i drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni ka dalur sonte në terren për të parë nga afër gjendjen e krijuar nga reshjet.
Maxhuni tha se janë duke bërë inspektimin e disa lagjeve dhe bizneseve afër lumit Sitnica lidhur me rreziqet që mund t’ju shkaktohen nga reshjet atmosferike të shiut duke krijuar vërshime-përmbytje.
Ai tha se Komuna e Mitrovicës është në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që rrezikohen nga përmbytjet e mundshme.
Postimi i plotë:
Kemi për detyrë të përhershme dhe detyrim të përgjithshëm të japim siguri për jetën dhe pasurinë e qytetarëve tonë.
Për të arritur këtë është prioritet analiza dhe vlerësimi i rreziqeve dhe dëmeve të mundëshme për të krijuar hapësir për planifikim dhe zbatim të masave të domosdoshme që këto rreziqe të mos kthehen në kërcënime për të sjellë pasoja me dëme për qytetarët dhe mjedisin.
Tani për momentin jemi duke bërë inspektimin e disa lagjeve dhe bizneseve afër lumit Sitnica lidhur me rreziqet që mund t’ju shkaktohen nga reshjet atmosferike të shiut duke krijuar vërshime-përmbytje.
Duke u bazuar nga ajo se menaxhimi i gjasës përmban identifikimin, vlerësimin dhe kontrollin mbi ngjarjet apo situatat e mundshme te krijuara që kanë efekte të dëmshme. Identifikimi i rrezikut është elementi i parë në punë për analizën dhe vlerësimin për detaje të mëtutjeshme.
Institucionet relevante të komunës së Mitrovicës janë në gatishmëri me të gjithë kapacitetet e veta njerëzore, logjistike dhe akomoduese për ti ardhur në ndihmë popullatës të rrezikuar nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut.
Si çdo herë do jemi afër qytetarëve! /Telegrafi/