Telegrafi

RrGK-ja për sulmin seksual ndaj të miturës: Situatë alarmante, do të kërkojmë drejtësi

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka reaguar lidhur me rastin e ndodhur në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ku një arsimtar me inicialet V.S dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të klasës së shtatë.

RrGK-ja ka dënuar ashpër këtë incident, ndërsa ka deklaruar se janë thellësisht të shqetësuara dhe të indinjuara nga “një shkelje kaq e rëndë e besimit dhe e sigurisë së vajzave tona të reja”.

Lexo po ashtu Suspendohet për gjashtë muaj arsimtari nga Deçani që dyshohet se puthi nxënësen

“Ky akt i tmerrshëm i sulmit seksual shërben si një kujtesë e fortë se ne duhet t’i japim përparësi mbrojtjes së vajzave dhe të miturve brenda shoqërisë sonë, madje edhe brenda në shkolla”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas kësaj organizate, është koha e fundit që shoqëria dhe institucionet të marrin qëndrim kundër krimeve dhe të sigurojnë që autorët të marrin dënimin e merituar, pa asnjë kompromis.

“Është dëshpëruese të shohësh që këto sulme ndaj vajzave ndodhin pikërisht para syve tanë, ndërkohë që institucionet shpesh nuk arrijnë të japin drejtësinë dhe masat e duhura parandaluese. Ngjarja në institucionin arsimor ku nxënësit duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur nxjerr në pah një situatë alarmante. Nuk mund të mos pyesim veten se sa raste të tjera nuk raportohen”.

RrGK-ja u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë si çështje me prioritet të madh, ashtu siç duhet me çdo rast tjetër të ngacmimit dhe sulmit seksual.

“Shkollat, në veçanti, duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma të fuqishëm për të trajtuar rastet e dhunës, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale”, thuhet tutje.

Kujtojmë se në raportin “Nga Ligjet në Vepra: në Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, RrGK-ja ka këto rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit:

“Së fundi, është jetike të theksohet se ashtu si në rastet e tjera të dhunës me bazë gjinore, RrGK-ja do të kërkojë drejtësi dhe do të monitorojë nga afër këtë rast dhe masat e marra. Ne kërkojmë largimin nga puna si mësimdhënës dhe të njëjtit t’i shqiptohet dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh dënim deri në 7 vjet”, përfundon reagimi i organizatës.

Ndryshe, arsimtari V.S është suspenduar nga puna për gjashtë muaj. I njëjti me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë dhe vepra është cilësuar si “Sulm seksual”.

Ngjarja ka ndodhur të premten, teksa është filmuar me telefon, fshehurazi përmes derës së klasës.

Telegrafi ka siguruar videon në të cilën shihet teksa i dyshuari bisedon për pak çaste me nxënësen dhe më pas e puthë në buzë. /Telegrafi/