Site icon Telegrafi

Rrëzohet aeroplani luftarak francez në Indi, pilotët katapultuan në momentin e fundit

Një aeroplan stërvitor, Mirage 2000 i Forcave Ajrore të Indisë u rrëzua në distriktin Shivpuri të shtetit Madhya Pradesh gjatë një fluturimi rutinë stërvitor.

Të dy pilotët u katapultuan në mënyrë të sigurt para rrëzimit, dhe nuk pati viktima në incident.

Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se aksidenti ndodhi për shkak të një defekti teknik në aeroplan.

Është urdhëruar një hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit, thuhet në deklaratë, shkruajnë mediat vendore.

Mirage 2000, aeroplan luftarak shumëfunksional, përbën një pjesë kyçe të Forcave Ajrore të Indisë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në operacione të ndryshme, përfshirë sulmet ajrore në Balakot në vitin 2019.

Megjithëse forcat ajrore vazhdojnë të modernizojnë flotën e tyre, mbeten shqetësime në lidhje me sigurinë e aeroplanëve luftarakë dhe stërvitorë më të vjetër.

Autoritetet kanë siguruar vendin e aksidentit, ndërsa hetimet mbi incidentin janë në vazhdim.

Pamjet e filmuara pas aksidentit tregojnë mbetjet e aeroplanit të shpërndara në një fushë, ndërsa qindra njerëz janë mbledhur në vendngjarje. /Telegrafi/

Exit mobile version