Site icon Telegrafi

Rrezikonte ikjen në Serbi, Gjykata e Prishtinës i heq masën e dorëzanisë serbit dhe i cakton një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për të pandehurin M.M., duke hequr masën e dorëzanisë dhe duke caktuar masën e paraburgimit.

Vendimi është marrë për shkak të dyshimeve të bazuara për përfshirje të tij në veprën penale të Krimit të Organizuar dhe në Prodhimin dhe Përpunimin e paautorizuar të narkotikëve dhe substancave të ndaluara.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar paraburgimin për një muaj dhe duke vendosur që shuma prej 30,000 euro, e deponuar si dorëzani më 27 mars 2023, të transferohet në Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Dyshimet janë që M.M., si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, ka vepruar me qëllim përfitimi të kundërligjshëm përmes prodhimit, përpunimit dhe shitjes së narkotikëve, përfshirë marihuanën dhe kokainën.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.M, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe të strukturuar kriminal, me dashje ka vepruar në grup kriminal të organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, janë marrë me prodhimin dhe kultivimin e substancave narkotike të cilat i përpunojnë dhe më vonë i shesin, po ashtu edhe kanë blerë me qëllim të shitjes të substancave narkotike të llojit marihuan dhe kokainë, ashtu që me rastin e kontrollit të zbatuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me urdhëresë të gjykatës, tek i pandehuri janë gjetur një sasi e substancave narkotike, bimë të mbjellura narkotike, paisje për përgatitjen e tyre për ti plasuar në treg, e të cilat janë sekuestruar nga policia me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve, me këtë ekziston dyshimi mirë i bazuar se ka kryer veprën penale Krim i organizuar lidhur me veprën penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropçe, analoge apo veglave, paisjeve apo materijaleve narkotike”.

Gjykata vlerësoi se paraburgimi është i nevojshëm për shkak të rrezikut të ikjes, pasi M.M. u kap më 27 shtator 2024 në kufirin me Serbinë pa pasaportë, edhe pse i ishte ndaluar udhëtimi nga gjykata.

Ky fakt, si dhe dyshimet për përfshirje në një grup kriminal të organizuar, rrisin rrezikun për zvarritje të procedurës apo përsëritje të veprave penale.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës./Telegrafi/

Exit mobile version