Shërbimet terapeutike për fëmijët me sindromën Down janë në rrezik të ndërpriten për shkak të mungesës së fondeve.
Shoqata Down Syndrome Kosova, e cila ofron mbështetje të rëndësishme për këta fëmijë përmes pesë qendrave të saj, i bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të angazhohen për të siguruar vazhdimësinë e këtyre shërbimeve, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e potencialit të fëmijëve me sindromën Down.
Në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe për t’u përgjigjur nevojës urgjente, përmes Fushatës në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të sindromës Down 21 Mars, me moton Hej Kosovë, edhe Sa?! kërkon ndihmën e qytetarëve përmes një thirrjeje të menjëhershme për veprim.
Për t’a mbështetur këtë kauzë , shoqata apelon qytetarët që të kontribojnë përmes dërgimit të SMS me tekstin “Me zemër” në numrin 55550, përmes operatorit VALA.
Mesazhi që kushton vetëm 1 euro për SMS mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e këtyre fëmijëve.
Shoqata Down Syndrome Kosova ka ofruar për më shumë se një dekadë shërbime terapeutike dhe psiko-sociale për fëmijët, të rinjët dhe të rriturit me sindromën Down.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, mungesa e financave për shërbimet terapeutike rrezikon humbjen e mundësive për fëmijët me sindromën Down të integrohen më mirë në shoqëri dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Fushata sensibilizuese “Hej Kosovë, edhe Sa?!” bën thirrje tek institucionet përkatëse publike për mundësi dhe trajtim të barabartë për qytetarët me sindromën Down duke adresuar fuqishëm nevojën për ndihmë për mbështetje të shërbimeve për fëmijët dhe njëherit fton të gjithë qytetarët që të kontribuojnë me SMS për të siguruar këto shërbime jetike.
Kjo është mundësia juaj për të kontribuar dhe bërë një ndryshim të qëndrueshëm në jetën e Fëmijëve me sindromën Down që kanë nevojë për mbështetje.
Bëhuni Pjesë e Fushatës: Dërgoni SMS në 55550 me tekstin: Me zemër.