Site icon Telegrafi

Rreth 700 fermerë në Ferizaj përfitojnë pajisje të ndryshme brenda gjashtë muajve

Komuna e Ferizajt, pikërisht drejtoria e Bujqësisë që nga fillimi i këtij viti ka planifikuar buxhetin në tri kategori me qëllim që fermerët të përkrahen me pajisje të ndryshme për punë. Kjo komunë tashmë është mjaftë e njohur me zhvillim të bujqësisë derisa edhe në vitet e kaluara fermerët ishin në lista të gjata për mbështetje institucionale.

Drejtori i kësaj drejtorie në Ferizaj, Burim Bajrami, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se që nga fillimi i këtij viti rreth 700 fermer kanë përfituar makineri, serra e pajisje të ndryshme për ta zhvilluar bujqësinë. Sipas tij një pjesë e tyre edhe gjatë këtyre ditëve janë në fazën e pranimit të pajisjeve.

“Kemi përfunduar me kohë planifikimet buxhetore brenda drejtorisë sonë dhe kemi ndarë investimet në tri kategori: Në mallra dhe shërbime, në subvencione dhe investime kapitale, ndërkaq aktualisht jemi në vlugun më të madh të punëve dhe implementimin e projekteve tona si drejtori e bujqësisë. Në fillim të vitit kanë përfituar serra familjare prej 50 metra katrorë, 270 fermer të Komunës së Ferizajt. Ky projekt është duke vazhduar ende në implementim në terren duke u vazhduar montimi”, ka thënë Bajrami.

Ai bën me dije se drejtoria e Bujqësisë nuk është ndaluar me kaq, por ka vazhduar me thirrjen publike për furnizim të fermerëve me pajisje mbrojtëse për bletishte në këtë komunë dhe tashmë kanë shpallur listën e përfituesve.

Ndërkohë kjo komunë është në fazën e fundit të furnizimit me pajisje të sistemit mbrojtës kundër kafshëve të egra me arsyetime se në të kaluarën fermerët kanë pasur dëme të mëdha të punishteve nga kafshët e egra të cilat janë të mbrojtura me ligj për të mos i vrarë.

“Ne e kemi marrë shqetësimin e fermerëve se brenda bletishteve të tyre po futen këto kafshë të egra dhe janë të mbrojtura me ligj për të mos i vrarë, andaj ne tashmë kemi investuar në këtë sistem modern për mbrojtjen e këtyre punishteve. Kanë qenë të interesuar mbi 20 bletar të Komunës sonë dhe ne i kemi furnizuar të gjithë ata në viset malore dhe që janë të ekspozuar nga këto dëme”,ka shtuar Bajrami.

 

Sipas Bajramit, tashmë janë në proces të analizimit të aplikacioneve për makineri tjera bujqësore ku do të jenë rreth 20 fermer përfitues të kategorive të ndryshme.

“Edhe këtu do të përfitojnë këta fermer duke filluar nga “pllugjët” e deri te shpërndarëset e plehut dhe “grabujat diellore”. Po ashtu në këtë proces jemi në përfundim të procedurave të nënshkrimit të kontratës për furnizim të kultivuesve të perimeve në serra dhe jashtë tyre me motokultivator, andaj edhe këtu do të jenë rreth 80 përfitues”, ka thënë Bajrami.

 

Exit mobile version