Site icon Telegrafi

“Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen afër kufirit me Kosovën”, Sopjani: Serbia synon të trajnojë 5 mijë pjesëtarë të njësive speciale

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të hënën (1 prill) ka thënë se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën.

Sipas tij, nevojitet vetëm një urdhër i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ata të nisin sulme agresive.

Në lidhje me këtë deklaratë, ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Shkelzen Sopjani, ka thënë se kur flitet për 400 ekstremistë serbë nuk duhet të harrohet se Serbia ka një projekt me anë të cilit ka për synim që të trajnojë 5000 pjesëtarë të njësive speciale të saj.

“Kur flasim për trajnime, po flasim për 400, po e harrojmë projektin 5000, i cili ka për qëllim të trajnojë 5000 pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë, duke përfshirë njësi parashutiste, më të specializuara që kanë detyra më diversante. Krejt kjo në kuadër të projektit të botës serbe”, ka thënë Sopjani, për RTV Dukagjini.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, deklaratën e Sveçlës e ka cilësuar si të duhur, pasi sipas tij, ndonëse nuk duhet të ketë panik është mirë të ketë gatishmëri për të parandaluar veprimet e tilla.

Lexo po ashtu Sveçla: Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën

Sipas Ibishit, më mirë është me kohë të alarmohet sesa të ketë pasoja.

“Nuk ka pse të bëhet panik. Të jetë gatishmëria për të parandaluar dhe vepruar nëse ka diçka. Më mirë është me kohë të alarmohet, sesa të merremi me pasoja. Në herën e parë ndodhi rasti, pati indikacione”, ka deklaruar Ibishi.

Ndryshe, dje ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën. Sipas tij, nevojitet vetëm një urdhër i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ata të nisin sulme agresive.

Sveçla ka shtuar se po përgatiten për ta parandaluar çdo skenar serb, por edhe për t’u ballafaquar.

“Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiq mund të aktivizohen në sulme agresive”, ka thënë Sveçla për “NeWs24”. /Dukagjini/

Exit mobile version