Rreth 10 milionë euro të dhëna nga prindërit janë shpenzuar pa transparencë dhe llogaridhënie nga shkollat. Hartimi i akteve nënligjore me vonesë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me të cilat do të rregullohet mënyra e zbatimit të prokurimeve në institucionet arsimore, e të cilat nuk i nënshtrohen Ligjit për Prokurime Publike, ua mundëson shkollave të mos jenë transparente për mënyrën se si shpenzohen paratë e prindërve.
Ky është një prej konstatimeve nga hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare, në kuadër të projektit “Mbrojtja nga korrupsioni”, i mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës.
Hulumtimi, i zbatuar në periudhën nga 1 nëntori i vitit 2021 deri më 31 tetor të vitit 2022 në 96 shkolla fillore dhe të mesme në 8 komuna, nxjerr në pah faktin që prokurimet për sigurimin e nxënësve, uniforma për nxënësit, fotografim, shujtat, etj., zbatohen në procedura për të cilat nuk ka rregulla të përcaktuara në mënyrë të qartë, e të cilat do të mundësonin përzgjedhjen e ofertave më të favorshme dhe vlerën më të mirë për paratë e shpenzuara.
Shpalljet publikohen vetëm për ekskursionet për shkak që për to, MASH ka miratuar procedura qysh në vitin 2014. Pjesa më e madhe e shkollave nuk mund të sqarojnë se si është bërë përzgjedhja e firmave për shërbimet e të cilave paguajnë prindërit. Nga hulumtimi theksohet se edhe te ato shkolla që i kanë dorëzuar vendimet për përzgjedhje nga ana e këshillave të prindërve nuk mund të vërtetohet se si janë zgjedhur ofertat e shqyrtuara, gjegjësisht kush ka vendosur, nga cilat firma të kërkohen oferta për furnizimet.
“Kjo situatë është pasojë e zvarritjeve të MASH në hartimin e akteve nënligjore që do të rregullojnë mënyrën e kryerjes së prokurimit në institucionet arsimore, të cilat nuk janë objekt i Ligjit për prokurim publik. Në këtë mënyrë mundësohet që shkollat të jenë jotransparente dhe jo të përgjegjshme për mënyrën e shpenzimit të parave nga prindërit. Strategjia kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2021 – 2025 parashikonte që Ministria e Arsimit dhe Shkencës t’i hartojë këto akte nënligjore (rregullore) tashmë në gjysmën e parë të vitit 2022, me qëllim që të reduktohen mundësitë e gjera për korrupsion dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”, thuhet në raport.
Drejtoritë e thuajse të gjitha shkollave distancohen nga procesi i realizimit të këtyre prokurimeve me pohimin që nuk i mbledhin paratë prej prindërve, por që pagesa u bëhet drejtpërsëdrejti kompanive të përzgjedhura. Së këtejmi, shkollat janë ndarë në dy grupe. Grupi i parë i shkollave i kanë dorëzuar informacionet e kërkuara për llojin e prokurimeve dhe shumën e shpenzimeve për to, ndërsa shkollat nga grupi tjetër kanë refuzuar t’ia dorëzojnë QKQ informacionet e kërkuara, duke u distancuar plotësisht nga ky proces.
Kjo situatë flet për vetëdijen e ulët për llogaridhënie lidhur me këto shpenzime dhe natyrisht për atë që i tërë procesi të jetë i rregulluar me një ndonjë akt të brendshëm, si dhe për t’u siguruar transparenca dhe ligjshmëria e tyre. Në Strategjinë nacionale për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave 2021-2025 është paraparë që Ministria për Arsim dhe Shkencë t’i ketë hartuar këto akte nënligjore (rregullore) qysh në gjysmën e parë të vitit 2022 me qëllim të reduktimit të mundësive të shumta për korrupsion dhe keqpërdorime të pozitave zyrtare./Koha.mk/