Për shkak të rrëshqitjes së dheut është mbyllur përkohësisht autostrada “Ibrahim Rugova”, në segmentin e 27-të, në mes të Prizrenit dhe Suharekës, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.
Deri në pastrimin e dheut dhe lirimin për qarkullim të këtij segmenti është kërkuar që pjesëmarrësit të shfrytëzojnë rrugët alternative.
Sipas komunikatës së MI-së, ekipet e mirëmbajtjes kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Me qëllim të lëvizjes së sigurt të qytetarëve në këtë segment kjo pjesë është bllokuar për qarkullimin e automjeteve deri në pastrimin e dheut të shembur. Ekipet tona të mirëmbajtjes janë në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë hapat konkret për lirimin e kësaj pjese të Autostradës në fjalë”, thuhet në njoftimin e MI-së, raporton Telegrafi.
Për këto arsye nga pjesëmarrësit në trafik është kërkuar që të shfrytëzohen rrugët alternative.
“Lusim të gjithë qytetarët e vendit tonë, që deri në pastrimin e dheut dhe lirimin për qarkullim të këtij segmenti të shfrytëzojnë rrugët alternative. Lidhur me pastrimin e dheut nga autostrada do ju njoftojmë me kohë”, përfundon komunikata e Ministrisë së Infrastrukturës. /Telegrafi/