Telegrafi

Rrëmbimi i të miturit nga Presheva, kërkohet paraburgim për dy persona në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve L.C., dhe E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘’Ndihma në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit’’.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit L.C. dhe E.R., më 20 Korrik 2024, në komunën e Gjilanit, me qëllim të përfitimit material, kanë ndihmuar të pandehurin e tretë, i cili gjendet në arrati, në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit.

“Në atë mënyrë që me veturë e kanë transportuar të njëjtin së bashku me të dëmtuarin e mitur nga komuna e Preshevës, nëpër lokacione të ndryshme, edhe pse kanë qenë në dijeni se i mituri ishte rrëmbyer nga i pandehuri i tretë, të cilin e kanë mbajtur të mbyllur në veturë, me qëllim që mos ta dorëzojnë gjersa vëllai i tij të kryente obligimin për transportim të substancës narkotike, për në Beograd”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Të pandehurit L.C., dhe E.R. me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh./Telegrafi/