Studentja amerikane Julia Buskale e cila është infektuar me coronavirus, ka treguar përvojat e saj duke pranuar se nga sëmundja përkohësisht nuk kishte ndjerë as erë e shije të ushqimit.
Në janar ishte zhvendosur në Firencë të Italisë, kurse në fillim të shkurtit është rikthyer në SHBA ku edhe ka kryer testin që rezultoi se ajo është pozitive në coronavirus, transmeton Telegrafi.
Studentja amerikane tregoi se si më 29 janar ishte ndjerë keq derisa po qëndronte në Itali. Ishte zgjuar në agoni, kishte dhimbje të mëdha në kokë dhe fyt dhe kishte ethe.
Kishte pirë ilaçe kundër dhimbjeve dhe deri vonë nuk është ngritur nga shtrati. Të nesërmen i kishte telefonuar mjekut pavarësisht se ndihej më mirë, kurse ai i kishte thënë se është ftohur.
Megjithatë shpejtë filloi të dëgjon më dobët me veshin e majtë, me kalimin e ditëve dëgjimi vetëm sa i vështirësohej, ashtu filloi të humb edhe shijen dhe të ndjejë aromat. Por, ajo thotë se për asnjë moment nuk është kollitur, vetëm kokedhembje të madhe ka pasur.
Julia ishte rikthyer në SHBA më 2 shkurt ku i kaloi tetë ditë në vetëizolim. Nuk kishte pasur simptomat që transmetoheshin nëpër televizione. Kështu filloi t’i rikthehet dëgjimi dhe të ndjejë aromat, megjithatë pasuan problemet e reja – i është lajmëruar një kollë e thatë. Më 12 shkurt bëri testin e coronavirusit në të cilin rezultoi të jetë pozitive. /Telegrafi/