Amerikania Allison Fluke-Ekren, 42-vjeçe, ka pranuar se ka udhëhequr batalionin e grave të organizatës terroriste Shteti Islamik në Siri, si dhe ka planifikuar sulm në territorin amerikan.
Allison pranoi fajin në një pikë të aktakuzës për mbështetjen e grupit, dhe gjithashtu pranoi se ka trajnuar mbi 100 gra dhe vajza për t’u bërë të dhunshme, transmeton Telegrafi.
Kjo nënë dhe mësuese që u bë “lidere” në ISIS, kishte braktisur Shtetet e Bashkuara në vitin 2011 dhe kishte shkuar për të punuar me këtë organizatë terroriste në Libi.
Ish-studentja e biologjisë ka jetuar edhe në Egjipt e Turqi, ku më pas kishte udhëtuar për në Siri për t’ju bashkuar kësaj organizate.
Fluke-Ekren, ishte e njohur me nofkën Umm Mohammed al-Amriki, që gjithashtu jetoi në Mosul të Irakut ku edhe ishte arrestuar.
Ajo udhëhoqi batalionin e grave Khatibu Nusaybah me seli në Raqqa të Sirisë. Roli i saj në këtë batalion ishte të mësojë gratë dhe fëmijët të përdorin armët siç është pushka automatike AK-47 si dhe jelekët e mbushur me eksplozivë, që shërbenin për sulme kamikaze.
Në sallën e gjyqit në Virginia, pranoi se ka trajnuar vetëm grupin e grave, por pretendoi se kurrë nuk ka tentuar të rekrutojë fëmijë.
“Nuk e kemi trajnuar asnjë vajzë të re”, tha ajo, raporton CNN.
Gjithashtu pranoi se ka folur për sulmet në tokën amerikane, përfshirë universitetet dhe qendrat tregtare. /Telegrafi/