Nga: Monika Stafa
Keni qenë ndonjëherë në Butrint? Askush nuk mund ta shijojë atë siç duhet nëse nuk njeh historinë e tij. Butrinti që prej themelimit i detyrohet pikërisht veprës së Virgjilit, që e përjetësoi atë në poemën e tij me titullin, Eneida.
Enea, heroi i mërguar nga Troja, ndaloi ca kohë në këtë vend gjatë rrugës për të shkuar në Romë. Dhe, mjaftoi një shkëndijë në mendjen e heroit që themeloi Romën që Butrinti të hynte në hartën e botës.
Që këndej ne sot kemi po atë Butrint.
Kjo Trojë në miniaturë nuk ishte aspak rastësi. Nisën atë kohë aleancat e mëdha. Admirali Agripa, krahu i djathtë i Perandorit të parë romak, Augustit, lidhi kurorë me një vajzë të bukur e cila vinte nga Butrinti. Prej këtij fati të lumtur ku u gjet ky vend në brigjet ilirike, u arrit të konservohej kjo mrekulli e zotave deri në ditët tona.
Shumë gërmime arkeologjike prej të huajve janë bërë aty, por asnjëherë në interes të çështjes shqiptare. Mbreti Zog gjatë kohës së tij insistoi që në atë vend të lejoheshin për të punuar vetëm arkeologë shqiptarë. U deshën më shumë se 50 vite që kjo gjë të ndryshonte.
Çfarë sekretesh ruante ai që tërhoqi aq shumë Rotshildët e pasur?
Ishte viti 1991. Shqipëria ishte një tokë e mbytur nga 50 vjet varfëri. E rrënuar prej shkatërrimit të ullishtave, vreshtave apo dhe fermave kolektive me fshatarët e saj të uritur ndërsa tiranët po thyheshin.
Pikërisht në këtë kohë, Lord Rotshildi dhe miku i tij Lord Seinzbëri vizituan Butrintin dhe vendosën të kthejnë në vëmendje historinë e tij. Së bashku, të dy krijuan fondacionin me të njëjtin emër ku Shqipëria do të garonte në Unesco për një pasuri arkeologjike më shumë.
Po kush janë Rotshildët dhe çfarë përfaqësojnë ata?
Një emër që të kujton pasuri dhe pushtet. Një linjë dinastie e lidhur me shtëpi madhështore dhe stile të praruara jetese. Një bankë, mbështetjen e së cilës e kërkuan sovranë dhe burra shtetesh, vendimet e saj mund të lëviznin tregjet dhe po aq u bëri ballë dy shekuj ndryshimesh të tmerrshme historike.
Rotshildët janë përshkruar si komuniteti i parë ekonomik evropian dhe historia moderne hebraike i përmend ata si familja e parë e judaizmit. Por, ajo që duhet të jetë një nga dinastitë më të dëgjuara të kohës edhe për një arsye tjetër, në të vërtetë nuk është fare e tillë.
Gratë, gjysma e Rotshildëve, janë ende të panjohura.
Ky përjashtim duket mëse i qartë; bota e financave e shekullit XIX në këtë familje ishte mashkullore. Rotshildët nuk ishin kurrsesi vetëm një biznes bankar. Rëndësia e tyre ka qenë shumë më e gjerë, në letërsi, në art, arsim dhe fe, sport dhe shkencë, muzikë dhe politikë.
Që gratë e familjes ishin të përfshira në këto veprimtari, kjo del si drita e diellit prej një vështrimi të thjeshtë në të dhënat historike. Emrat e tyre dalin në artikujt e kohës dhe gazetat bashkëkohore. Por, ato mbeten të heshtura dhe historitë e tyre të patreguara.
Ato janë një fusnotë e historisë së mbijetesës hebraike, që nga shekulli XVIII, që do ta përshkruante një tjetër grua e tyre – betejën grave Rotshild për pushtet.
Po çfarë fusnotash magjepsëse duhet të jenë ato?
Po ju them vetëm njërën e cila fillon me një përjashtim; testamenti i themeluesit të bankës Majer Amshel Rotshild, i ndalonte në mënyrë të qartë pasardhëset femra që të kishin pjesë në pasurinë e bankës ose në proceset vendimmarrëse.
Sa intriguese duhet të ketë qenë kjo histori?
Ndërmend më erdhi romani i C. Dikensit, Dombi dhe i biri.
Dombi, një titan i zymtë i botës financiare të Londrës, ishte i fiksuar tërë jetën pas djalit, por në fund zbulon se ishte vajza ajo që kishte rëndësi dhe përmes së cilës linja familjare do të duhet të vazhdojë. Dhe, kështu në fund, Dombi dhe i biri … del me të vërtetë një vajzë. Kjo është e shpjeguar më thjesht historia e grave të Rotshildëve, një histori thuajse krejt e panjohur.
Në Shqipëri, Rotshildët u bënë të njohur me kërkimet arkeologjike në Butrint dhe janë ende të pranishëm atje. Ndërsa, në komunizëm ata ishin simbol i borgjezisë ndërkombëtare.
Fondacioni i Butrintit që ata themeluan bëri të mundur ringritjen e muzeut në vitin 2005. Ata që u gjendën afër atij grupi, atë kohë thonë se kjo ishte një punë e bërë me dashuri. Për këtë arsye, ai cilësohet ende sot si muzeu më i mirë në Shqipëri.
Duke i bërë homazh historisë së pashembullt që Butrinti mbart, në tekst, fotografi, rindërtime apo dhe në statuja e objekte të vogla, vazhdon të përcjell jehonën se si e shohin çdo vit turistët, të huaj dhe vendas, përfshirë dhe nuset, atë mrekulli zotash.
Po si, do thoni ju.
Një përzierje e lavdishme e historisë së Mesdheut, një peizazh në dukje i përjetshëm mes detit Jon dhe maleve epirote, me sytë ngulur thellë … në liqenin e Butrintit.