Wayne Rooney ka bërë zgjedhjen e tij sa i përket përzgjedhësit të ardhshëm të Anglisë, por dëshira e tij në fakt me shumë gjasë do të mbetet e parealizuar.
Lee Carsley u emërua së fundmi përzgjedhës i përkohshëm i ‘Tre Luanëve’ pas dorëheqjes së Gareth Southgate muajin e kaluar.
Ish-përzgjedhësi i grupmoshave U21 të Anglisë do të marr drejtimin e ekipit A në ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës dhe Finlandës në shtator.
Southgate e mori drejtimin e Anglisë në vitin 2016 pas katër ndeshjeve si përzgjedhës i përkohshëm dhe kjo tani prezanton një mundësi të madhe për Carsley për ta dëshmuar potencialin që ka.
Sidoqoftë, legjenda e Manchester United, Wayne Rooney, në një intervistë para emërimit të Carsley në krye të stolit, kishte zbuluar dëshirën e tij që ta shohë një tjetër person në krye të kombëtares.
“Do të doja Guardiolën nëse jam i sinqertë. Mendoj se Anglia duhet të përpiqet gjithmonë për trajnerët më të mirë dhe natyrisht Pep do të ishte një zgjedhje e mrekullueshme për mënyrën se si luan ekipi i tij”, ka thënë fillimisht Rooney.
“Por mendoj se Lee Carsley e meriton mundësinë e tij. Unë kam luajtur me Lee tek Evertoni kur të dy ishim të ri dhe ai është një person shumë i mirë, mendoj se është një trajner me të vërtetë i mirë”.
“Ai ka bërë shumë mirë për U21 , njësoj si rrugëtimi që kishte Gareth, i cili nga U21 mori drejtimin e ekipit të parë”.
“Kështu që mendoj se ai meriton këtë mundësi dhe nëse bën mirë, ju nuk e dini kurrë, ndoshta do të jetë përzgjedhësi i ardhshëm i Anglisë”, përfundoi Rooney./Telegrafi/