Legjenda braziliane, Ronaldo, ka thënë se do të gëzohej në rast se Lionel Messi e udhëheq Argjentinën drejt suksesit në Kampionatin Botëror.
Fenomeni ka qenë vazhdimisht i pranishëm në tribuna në Katar, edhe pas eliminimit të përfaqësueses së tij.
46-vjeçari ka pranuar se nuk do të dëshironte që rivali i përbetuar, Argjentina, ta fitonte Kupën e Botës, por do bënte përjashtim në rastin e Messit.
“Do të jem i sinqertë, nuk mund të them se dua që Argjentina ta fitojë, sepse do të gënjeja. Nuk do të isha i lumtur si brazilian”.
“Të gjithë e meritojnë. Futbolli ka të bëjë me lojën dhe fitoren, askush nuk ju jep asgjë. Të gjithë e kanë një mundësi, padyshim”.
“Argjentina nuk luan futboll të shkëlqyer, por kanë një dëshirë të madhe. Të gjithë vrapojnë shumë bashkë, të gjithë e kanë atë agresivitet… pastaj, ata e kanë Messin, i cili kur arrin në zonë është shumë vendimtar”.
“Personalisht, do të isha i lumtur për të nëse e fiton”, u ka thënë Ronaldo gazetarëve në Doha. /Telegrafi/