Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo po kalon një moment të keq te Manchester United dhe pritet të largohet nga “Old Trafford”, ndërsa aktualisht tre klube nga MLS kanë shprehur dëshirë ta kenë në radhët e tyre.
Situata e keqe u përshkallëzua kur Ronaldo u largua nga stadiumi edhe para përfundimit të ndeshjes kundër Tottenhamit dhe më pas u konfirmua se ai nuk pranoi të hynte në lojë nga bankina.
Trajneri i Djajve të Kuq, Erik ten Hag, u tërbua për këtë dhe e pezulloi përkohësisht, por ai tani llogarit te portugezi për ndeshjen me Sheriff Tiraspolin në Ligën e Evropës.
Megjithatë largimi i Ronaldos pritet në një të ardhme të afërt, ndërsa dëshira e tij është të luajë në Ligën e Kampionëve.
Klubet e MLS po përpiqen ta marrin. Klube si Los Angeles FC, Inter Miami dhe LA Galaxy kanë shprehur dëshirë për CR7.
Megjithatë, United nuk dëshiron ta lërë të largohet gjatë dimrit, ndaj transferimi është i mundur vetëm në fund të sezonit, kur i skadon kontrata me gjigantin anglez./Telegrafi/