Artem Dovbyk mund të quhet një futbollist i ri i Romës, edhe pse duhet pritur edhe pak për zyrtarizimin.
Sulmuesi ukrainas ka arritur prej ditësh marrëveshje me Giallorosët, pasi dëshira e tij e vetme ishte Roma.
27-vjeçari është pajtuar me një kontratë pesë vjeçare me Romën nga e cila do të fitojë 3,5 milionë euro neto në sezon.
Roma prej ditësh ishte në negociata me Gironën dhe tanimë është arritur marrëveshja mes dy klubeve.
Giallorosët kanë ofruar 32 milionë euro fikse dhe gjashtë të tjera në formë bonusesh, ndërkohë Girona ka ruajtur edhe 10 për qind të kartonit nga shitje e ardhshme.
Calciomercato ka raportuar se tanimë edhe Dovbyk ka dritën e gjelbër për tu nisur drejt Italisë për testet mjekësore dhe prezantimin te Roma.
Kjo është goditja e dytë e madhe e Romës, pasi kanë siguruar edhe argjentinasin Matias Soule nga Juventusi për 30 milionë euro. /Telegrafi/