Site icon Telegrafi

Rizvanolli: Telekomi i Kosovës në rrugën e duhur drejt rikuperimit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Telekomi i Kosovës është duke ecur në drejtimin e duhur dhe nuk do të ketë kthim prapa.

Sipas saj, Telekomi po përballet me sukses me goditjet nga kontratat e dëmshme që u lidhën gjatë qeverisjeve të kaluara, kontrata që synonin degradimin dhe privatizimin e ndërmarrjes për përfitime të paligjshme të kompanive private.

“Telekomi do të përballojë me sukses edhe këtë goditje, TË FUNDIT, nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit, ndërkohë që u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit, e blenin vota përmes punësimeve partiake në masë, pa konkurse”, ka shkruar Rizvanolli.

Rizvanolli njoftoi se investimet në rrjetin e Telekomit janë në progres, ku aktualisht po vazhdohet në Istog dhe në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, për të përfunduar me Klinën.

Ky modernizim synon përmirësimin e shërbimeve të telefonisë mobile VALA me teknologji 5G dhe 4G+.

“Ndërkohë, investimet po vazhdojnë Istog e në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, për të vazhduar me Klinën, me të cilën komunë përmbyllet kjo fazë e modernizimit të telefonisë mobile të Telekomit, VALA me teknologji 5g dhe 4g+”, ka shkruar ministrja.

Ndryshe Federata Sindikale e Pavarur të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, ka kërkuar që Prokuroria urgjentisht t’i nisë hetimet për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version