Site icon Telegrafi

Rizvanolli në Davos: Deri në vitin 2031 synojmë të ulim emetimin e gazrave serrë për 30% dhe të rrisim për 25% energjinë e ripërtërishme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova për herë të parë është ndër 25 shtetet e botës që po përfaqësohet me hapësirën e saj “House of Kosova”.

Ministrja Rizvanolli mori pjesë në panelin me temën “Shfrytëzimi i energjisë së pastër për një të ardhme të qëndrueshme”, e ku tha se Kosova është duke punuar që të zhvillojë projekte inovative duke shfrytëzuar kapacitet nga burimet e ripërtërishme.

“Deri në vitin 2031 në synojmë që të ulim emetimin e gazrave serrë për 30% dhe të rrisim për 25%  energjinë e ripërtërishme”, tha ajo.

Ministrja po ashtu tha se energjia e pastër është shtyllë e sektorit të energjisë në Kosovë.

“Energjia e pastër duke siguruar edhe sigurinë dhe pavarësinë e energjisë janë shtyllat e sektorit tonë të energjisë, por është imperativë po ashtu që qytetarët të jenë në qendër të tranzicionit të energjisë ku askush nuk mbetet prapa. Kjo do të thotë që ruajtja e përballueshmërisë, ruajtjes së konsumatorëve të cenueshëm, por edhe qasje në investime dhe në efiçencë për secilin për kushte më të mira të jetesës, në shtëpi, shkolla, ndërtesa publike”, tha ajo.

Pjesë e këtij paneli ishin edhe anëtari i Fakultetit në École Polytechnique po ashtu themelues dhe kryetar i The Bridge Tank, Dr. Jowl Ruet, shefi i projektit “Potenciali për Burimet Gjeologjike të Hidrogjenit” në Shërbimin Gjeologjik të SHBA-së, Geoffrey Ellis, partner i lartë në McKinsey & Company, me bazë në Helsink, Jukka Maksimainen, pronari dhe kryetari i Bordit Menaxhues në OE-EN AG., Daniel A. Oechslin dhe udhëheqësi global i hidrogjenit të bardhë të Terra-A, Grant Nicholas.

Ministrja Rizvanolli ka mbajtur një koktej me ndërmarrës ndërkombëtarë, ekspertë e përfaqësues të mërgatës.

Ndërsa “House of Kosova” është e hapur për vizitorë nga vende të ndryshme e që marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Aty është ekspozuar një odë tradicionale dhe vepra arti të artistëve nga Kosova. /Telegrafi/

Exit mobile version