Site icon Telegrafi

RIT Kosova feston 20 vjetorin e themelimit, mblidhen dhjetëra mijëra euro për bursa për studentët e këtij universiteti

Në gala mbrëmjen e organizuar për nderë të 20 vjetorit të RIT Kosova (AUK), në të cilën morën pjesë fytyra të njohura publike, u mblodhën dhjetëra mijëra euro për bursa për studentët e këtij universiteti.

Presidenti dhe dekani i universitetit, Kamal Shahrabi në fjalën e tij hyrëse ka përmendur tregime të shumta të studentëve, duke i falënderuar ata që besuan në RIT Kosova.

“20 vite përparim, 20 vite arsim, 20 vite inovacion dhe 20 vite ekselencë. Dhe sigurisht, nuk harrojmë kurrë, 20 vite festë dhe argëtim. Dhe kjo është një nga ato netë. Sonte, ne bashkohemi si një komunitet i bashkuar nga vizioni i përbashkët i arsimit, inovacionit dhe përsosmërisë”, tha Shahrabi.

Kamal Shahrabi, president dhe dekan i RIT Kosova (AUK) | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Për punën e lavdishme të këtij institucioni ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila njëherësh kishte ligjëruar në këtë universitet.

“Disa vite më parë pata nderin dhe privilegjin të jap mësim në RIT Kosova për disa vite. Përmes kësaj eksperience të dorës së parë, mund të them me shumë besim se ajo që ofron RIT Kosova është pikërisht ajo që i nevojitet vendit tonë, shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Ajo që e bëri këtë universitet të veçantë është fakti se ai dinte saktësisht të zgjidhte një nga problemet më sfiduese me të cilat përballet vendi ynë, rajoni ynë dhe më gjerë”, është shprehur Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Kurse, i pari i ekzekutivit Albin Kurti këto tregim suksesi të RIT Kosova e lidh me vetë suksesin e shtetit që e drejton.

“Jam ftuar të mbështes historinë e suksesit të ardhshëm të Kosovës në përvjetorin tuaj të 20-të në një vit që shënon 15 vjetorin e vendit tonë ku vetë Kosova ka dëshmuar të jetë një histori suksesi”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha RIT Kosova ka luajtur një rrol të rëndësishëm në transformimin e arsimit në vend.

“Ndërsa mblidhemi këtu sonte. Ne festojmë jo vetëm 20-vjetorin e themelimit të këtij institucioni akademik, por edhe fuqinë transformuese të arsimit. Konsumatori i RIT ka luajtur një rol jetik në formësimin e mendjes së studentëve nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, duke i pajisur ata me njohuritë, aftësitë dhe vlerat e nevojshme për të kontribuar në shoqërinë botërore”, theksoi Rama.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ndërkaq, kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Special Competitive Studies Project (SCSP), Ylli Bajraktari në këtë ngjarje gala ka ritheksuar rëndësinë për investimin në avancimin e të rinjve.

“Ka shumë arsye të mira për të investuar te të rinjtë. Nëse duam që Kosova të jetë një vend i begatë dhe i suksesshëm, të rinjtë janë çelësi i suksesit. Por siç sugjeron tendenca e fundit gjatë disa viteve të fundit; mund të investosh gjithë kohën dhe energjinë, por nëse ata largohen nga Kosova, përfitimet do t’i gëzojnë të tjerët, dhe kjo është me të vërtetë gjëja më e trishtueshme që të gjithë ne këtu mund ta kthejmë atë”, ka potencuar Bajraktari.

Kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Special Competitive Studies Project (SCSP), Ylli Bajraktari | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Në këtë natë gala, Telegrafi si media më e madh në vend është nderuar me çmimin “Gold Sponsor”.

Telegrafi duke pranuar mirënjohje si “Gold Sponsor” nga RIT Kosova (AUK) | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Po ashtu, nuk ka munguar as muzika, ku grupi “String String” ka performuar për të ftuarit.

Fondet e mbledhura në ngjarjen “Support Kosova’s Next Success Story” do t’iu mundësojnë studentëve të përfitojnë edukim amerikan në RIT Kosova (AUK). /Telegrafi/

Hallakate duke pranuar mirënjohje si “Silver Sponsor” nga RIT Kosova (AUK) | Foto: Ridvan Slivova / Telegrafi

Exit mobile version