I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka ripërseritur qëndrimet pas takimit me 4 prill me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel.
Lajçak të dielën ka thënë se të dy palët në kuadër të takimit diskutuan për zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe çështjet urgjente aktuale.
“Këtë javë isha i zënë me takime në Bruksel, ku organizuam një takim dialogu në nivel të kryenegociatorëve. Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit dhe çështjet urgjente aktuale”.
“U takova gjithashtu me Këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Ishte mirë të flitej për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Unë gjithashtu e informova atë për takimin e dialogut dhe të kryenegociatorëve. Ne ramë dakord për nevojën e zbatimit të menjëhershëm në mirëbesim”.
“Unë jam shumë mirënjohës për partneritetin dhe koordinimin e fortë me Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për Dialogun”, ka thënë Lajçak.
Deklarimi i Bislimit dhe Petkoviqit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha me 6 prill se ka një pajtim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere, përmes së cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Bislimi përmendi gjithashtu edhe tri kriteret tjera.
“Në ç’masë është [drafti i statutit] në harmoni në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këto “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica [Asociacioni]”.
Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “kjo është një gënjeshtër e pastër e Bislimit”.
Sipas tij në Bruksel nuk u përmendën “pesë kriteret për Asociacionin për të cilat ai foli”.
Ai theksoi se në takimin e 4 prillit u fol për statutin e Aociacionit dhe Ekipin Menaxhues.
Ndërkaq, takimi i radhës në nivelin e lartë pritet të zhvillohet më 22 prill në Bruskel./Telegrafi/