Gjatë javës që po lëmë pas Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut lidhur me akuzat për vrasjen e të ndjerës Marigona Osmani, për çka Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërkaq Sejdiu me 15 vjet burgim.
Po gjatë javës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani është deklaruar për shumë çështje, duke përfshirë çështjen e dinarit serb, dialogun Kosovë-Serbi, raportin me ndërkombëtarët etj.
Ndërkaq, në fillim të javës Shtëpia e Pleqve në Prishtinë ishte përfshirë nga zjarri, por që fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Vrasja e Marigona Osmanit, Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen dhe dhunimin e tani të ndjerës Marigona Osmani.
Në vendimin Gjykatës së Apelit, thuhet se është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ankesat e mbrojtësit të të akuzuarit Krivaqa, avokatit Admir Salihu dhe mbrojtësve të Sejdiut, avokatëve Arbnora Shefiku dhe Avni Ibrahimi.
Apeli thekson se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, tani për tani janë jolëndore.
Kurse, dy të akuzuarit mbeten në paraburgim deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Sipas vendimit të Apelit të marrë më 22 shkurt 2024, shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore.
Po ashtu sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimi nga shkalla e parë është ndërtuar duke marrë për bazë kryesisht motivin e xhelozisë për kryerjen e kësaj vepre.
Tutje, nga Apeli është udhëzuar që provat e administruara nga palët në procedurë të administrohen secila veç e veç në ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën dhe se në fund të mund të dilet me një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Në fund, Apeli ka udhëzuar Gjykatën Themelore në Ferizaj që gjatë rigjykimit të kujdeset që veprimet e të akuzuarve të përfshihen në norma materiale të veprave penale përfshirë edhe pjesën liruese, duke i saktësuar qartë dhe kuptueshëm të gjitha faktet.
Ndryshe, 18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.
Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Edhe aleatët edhe Kushtetuta, Osmani: Kosova nuk mund të ketë asnjë sukses pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e partnerëve
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një deklaratë për media ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe kritikat që i janë bërë Kosovës për jokonstruktivitet në këtë dialog.
E para e shtetit është deklaruar për çështjen e ndalimit të dinarit serb dhe raportet me miqtë ndërkombëtarë.
Osmani tha se dialogun më së shumti e ka dëmtuar mungesa e balancit dhe e ekuilibrit ku njëra palë, Kosova është nën masa tërësisht të padrejta, ndërkaq Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme.
Megjithatë, siç njofton Telegrafi, presidentja tha se në suaza më të gjera i inkurajon të gjitha institucionet dhe politikanët t’i ruajnë raportet me miqtë.
“…Por, në suaza më të gjera të relacioneve me miqtë tanë, unë i i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëj çmos që këto relacione, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, shtetet e BE-së t’i konsiderojnë jo vetëm të rëndësishme, por ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë…”, u shpreh presidentja.
E para e shtetit tha më tutje se Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar e të zhvilluar, por nuk duhet të harrohet që vendi ka probleme të mëdha të sigurisë.
“Në kufi kemi një shtet që çdo ditë synon agresion ndaj Kosovës, që çdo ditë synon gllabërimin e territorit tonë, që çdo ditë synon edhe sot 25 vite pas luftës vrasjen e qytetarëve tanë…. Në këto sfida nga duhen partnerët tanë, aleatët tanë jo vetëm si shenjë falënderimi që e kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion se çfarë na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vet, në fakt asnjë shtet në botë nuk mund të ecë para vet”, u shpreh Osmani.
Ajo përmendi edhe fjali të presidentit amerikan, Joe Biden dhe sekretarit Antony Blinken për rëndësinë e partneritetit dhe aleancave.
“Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës… në çdo fjalim të presidentit Biden dhe sekretarit Blinken do ta vëreni një narrativë ‘ne duam të punojmë së bashku me partnerët dhe aleatët tanë.
Dhe kur kjo është e vërtetë për superfuqinë botërore, Amerikën, është miliona herë më shumë e vërtetë për një shtet si Republika e Kosovës”, tha ajo.
Osmani më tej theksoi se nëse duan që shteti të ketë suksese në rrugën përpara atëherë duhet të bëhet me aleatët.
“Nuk mundet Kosova të ketë asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe pa mbështetjen e aleatëve…Pra, edhe Kushtetuta edhe aleatët, nuk e përjashtojnë këto njëra-tjetrën”, tha e para e shtetit.
Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve dyshohet se u shkaktua nga një cigare
Shtëpia e Pleqve në Prishtinë të hënën në mbrëmje është përfshirë nga zjarri, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti kishte thënë për Telegrafin se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë të frymëmarrjes nga tymi.
Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipin përkatëse të drejtorëve kishin vizituar vendin e ngjarje.
Sipas njoftimit të komunës, pas konsultimeve me ekipin e urgjencës mjekësore, zjarrfikësve dhe ekipit për siguri dhe emergjenca u mor vendim që të moshuarit për çështje sigurie, derisa të bëhet pastrimi i objektit, të zhvendosen në hotel.
Pas zjarrit që përfshiu një pjesë të objektit të Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë dyshimet janë që kjo erdhi nga një gacë e cigares, si shkak i pakujdesisë së një banori.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka thënë se një dhomë është dëmtuar dhe një pjesë tjetër e objektit është tymosur. /Telegrafi/