Më 24 mars të vitit 1999, fotoreporteri profesionist, Ridvan Slivova, priti fillimin e bombardimeve të NATO-s në një fshat afër Prishtinës, me pesë filma të rinj negativë për aparatin e tij, me të cilin regjistroi vuajtjet e civilëve shqiptarë.
Ridvani me aparatin e tij fotografik përjetësoi momente të vështira në jetën e popullsisë shqiptare, e cila u detyrua të largohej nga forcat serbe dhe të ikte nga Prishtina, nga ku shumë prej tyre përfunduan në kampet e refugjatëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai në fund të viteve 1980 mbaroi shkollën për gazetari dhe u bë fotoreporter në vitin 1989, ndërsa filloi punë për herë të parë në të përditshmen “Rilindja/Bujku”.
“Kjo ka qenë vështirësi për ne, qasja jonë, sepse kur e sheh një popull ose kur e sheh një viktimë ose kur e sheh një kufomë, është vështirë, aq më shumë kur i takon popullit tënd, është edhe më e vështirë. Por, kur të takosh kufoma të fëmijëve është edhe më e vështirë, kështu që vështirësitë vazhduan të jenë të përditshme”, theksoi Slivova.
Ai shton se në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 1999, policia serbe e ka marrë rreth 20 herë në pyetje për shkak të profesionit dhe herë pas here ka marrë kërcënime që e kanë detyruar të fshihet për një kohë.
“Kemi pasur edhe kërcënime për botime, por vendosmëria për ta bërë profesionin ashtu siç duhet… le të mos e quajmë profesion, sepse kjo ka qenë asokohe edhe mision, e kam bërë me këmbëngulësi pavarësisht rreziqeve. Kemi pasur edhe kërcënimet që përmenda, kanë ardhur në shtëpi na kanë kërkuar dhe më kanë thënë se nuk kam nevojë të punoj në këtë profesion, por, të punoj diçka tjetër”, thekson ai.
Fotografoi edhe kolonat e civilëve
Ridvani thotë se ka bërë fotografi edhe në fshatrat e Drenicës ku ka filluar lufta e Kosovës para vitit 1999, por para fillimit të bombardimeve të NATO-s ka menduar edhe për familjen e tij, tek e cila është strehuar me dajën e tij në një fshat pesë kilometra larg Prishtinës, në rajonin e Gollakut.
“Atëherë filloi edhe një gëzim por edhe hidhërim, të gjitha me një vend. Ato ndjenjat që filluan bombardimet e NATO-s, që do të çlirohemi por ishte edhe frika sepse ishim brenda, në rreth. Dhe, atë frikë, ashtu siç e paramenduam, ashtu na doli. Domethënë, ne qëndruam për mbi një muaj nëpër fshatra, me gjithë se unë dola dhe kam bërë fotografi fshat pas fshati në gjithë fshatrat e Gollakut. Kam fotografuar për atë se si jetonin ata, të zhvendosurit nga fshati në fshat, që kanë qenë një pjesë edhe nga Anamorava, por edhe një pjesë e Llapit dhe Gollakut, me një numër të madh të popullatës. Aty pashë se si mbanin pastërtinë, si ushqeheshin, por, të gjithë ishin në tenda, në natyrë, kështu që ka qenë një vështirësi e madhe duke pasur parasysh se ka qenë muaji mars, muaj i ftohtë”, theksoi ai për Anadolu.
Ai fotografoi edhe kolonat kilometrëshe të civilëve që po shkonin drejt Prishtinës, nga të cilat u vranë më shumë se 120 persona. Ndërsa po ashtu fotografoi fshatra të braktisura dhe të shkatërruara, të cilat u lanë pas nga njerëzit.
Ridvani thotë se ushtarët e NATO-s që kanë hyrë në Kosovë pas përfundimit të bombardimeve kanë hasur në kufoma buzë rrugëve dhe varreza masive. Më pas filloi procedura e identifikimit të trupave, si dhe regjistrimi i shtëpive dhe pronave të shkatërruara të familjeve shqiptare.
Ridvan Slivova thotë se në mënyrë të fshehtë ka fotografuar edhe ushtarët dhe policët serbë, të cilët janë përzier me civilë, duke u nisur për në Serbi, ndërsa ushtarët e NATO-s kanë hyrë në Kosovë nga jugu.
Negativët e filmit të përdorura gjatë bombardimeve ai i varrosi në oborr, pas shtëpisë së tij, për t’i ruajtur. Për këtë njoftoi edhe familjarët e tij, që ta dinë se ku janë ato në rast se këtij i ndodh diçka, ndërsa i zhvilloi këto negative vetëm pas luftës dhe më pas i ekspozoi ato në shumë ekspozita në Kosovë dhe jashtë vendit.
Ridvani mbajti ekspozitën e parë të fotografive bardh e zi të luftës në vitin 2001 në Pragë të Republikës së Çekisë, i njohur si qyteti i fotografisë. Ai thotë se ndjehet krenar që pati mundësinë që të kontribuonte me fotografitë e tij për të regjistruar vuajtjet e popullit të tij.
24 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s
Më 24 maj u mbushën 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 11 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës. /Anadolu Agency/