Telegrafi

Rezultatet dhe renditja pas javës së katërt në Superligën e Kosovës

Për herë të parë në këtë edicion të ri të garave në Albi Mall Superligën e Kosovës u kompletua në tërësi një xhiro, në këtë rast e katërta, kjo për shkak të angazhimeve të Dritës në arenën evropiane që ia pamundësuan t’i luajnë ndeshjet sipas orarit të caktuar.

Feronikeli ’74 kundër Dukagjinit e hapi xhiron e katërt, ndeshje kjo e cila përfundoi me fitoren e klinasve me rezultat 2-0 falë golave nga Ilir Syla dhe Ebrima Jatta.

Ndërkohë, Prishtina shijoi fitoren e dytë radhazi në elitë duke mposhtur Llapin në një ndeshje spektakolare ku u shënuan pesë gola (3-2).

 

Për kryeqytetasit golat i realizuan Leonat Vitija, Albin Krasniqi dhe Yoan Marc-Olivier, ndërsa për llapjanët Ahmed Januzi dhe Ilir Blakçori.

 

Suhareka po ashtu e vazhdoi formën pozitive duke triumfuar në shtëpi ndaj Gjilanit me rezultat 3-2. Goditje e madhe për gjilanasit ishte fakti se mbetën me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 43-të pas përjashtimit të Kushtrim Shabanit.

Golat për suharekasit i shënuan Mevlan Zeka, Nikola Stijepovic dhe Arvanit Rexhaj, ndërsa për Gjilanin realizuan Robert Rrahmani dhe Senad Jarovic.

Në takimin tjetër mes Malishevës dhe Ballkanit që ishte i fundit për teknikun Ilir Daja në stolin e therandasve, të besuarit e Bekim Isufit arritën të fitojnë me rezultat 3-1, madje këtë e bën me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me të kuq të Etnik Brrutit.

Golat për Malishevën në këtë sfidë i shënuan Arbër Prekazi, Drilon Hazrollaj dhe Fatjon Bunjaku, ndërsa për Ballkanin shënuan Sunday Adetunji dhe Queven Inacio.

Dueli që përmbylli xhiron e katërt në elitën e futbollit kosovar ishte ai mes Dritës dhe Ferizajt.

Djelmoshat e Zekirija Ramadanit nuk gabuan dhe e nisën me këmbë të mbarë kampionatin duke fituar me rezultat komod 3-1 pas golave të shënuar nga Almir Ajzeraj, Arb Manaj dhe Ilir Mustafa. Për mysafirët në ndërkohë nga pika e bardhë kishte shënuar Edon Sadriu.

 

Superliga e Kosovës tani do të shkojë në një pushim dy javorë për shkak të pauzës me kombëtare, ndërsa pas rikthimit do të jemi dëshmitar të këtyre ndeshjeve:

Llapi – Drita

Dukagjini – Malisheva

Gjilani – Feronikeli ‘74

Ballkani – Prishtina

Ferizaj – Suhareka

/Telegrafi/