Deputeti i LVV-së Arbër Rexhaj thotë se LVV dëshiron një ndryshim rrënjësorë të vendit dhe sipas tij nuk mjaftojnë 10 muaj për t’u arritur një gjë e tillë.
Rexhaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se kjo qeveri ka punuar ndershëm dhe nuk ka skandale korrupsioni në këtë periudhë.
“Premtimin për vaksinat e kemi realizuar qysh në vitin e parë të qeverisjes. Të gjitha ato që i kemi premtuar po shkojmë duke i kryer. Por ne kemi vetëm dhjetë muaj dhe nuk e kemi shkopin magjikë për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë që duhet të përmbushen brenda një mandati të plotë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deputeti i LVV-së thotë se në vazhdën e realizimit të premtimeve sot është nënshkruar një marrëveshje me IFC-në për ndërtimin e 4000 banesave kolektive që ofrojnë banim të përballueshëm.
Rexhaj thotë se LVV për herë të parë do të vendos një standard ku pasuria e paligjshme do të konfiskohet nga shteti.
Deputeti i LVV-së thotë se ministrat e kësaj qeverie kanë dërguar në prokurori kallëzime penale për keqpërdorimet që janë bërë në të kaluarën./Telegrafi/