Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit të shiut, niveli i ujit në liqenet e Badocit dhe Batllavës mbetet ende nën nivel.
Sipas kompanisë, gjatë këtyre ditëve, liqeni i Badocit ka ngritje të nivelit të ujit prej 0.95 metra, ndërsa ai i Batllavës me 1.61 metra.
“Të nderuar konsumatorë, duke kërkuar nga ju që të vazhdoni me shpenzimin racional të ujit të pijshëm , ju njoftojmë me gjendjen e liqeneve akumuluese sipërfaqësore, pas reshjeve të shiut javën e fundit. Sot, niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 628.47 metra mbi nivelin e detit ose 6.53 m nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është 640.10 metra mbi nivelin e detit ose 9.75 m nën kuotën maksimale. Nga java e kaluar, liqeni i Badocit ka ngritje të nivelit prej 0.95 metra, ndërsa ngritje më të theksuar kemi në liqenin e Batllavës 1.61 metra. T’i ruajmë dhe mbrojmë burimet e ujit”, njofton kompania. /Telegrafi/