Site icon Telegrafi

Rënia e ueb-faqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, Prokuroria nis hetimet

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me çdo abuzim apo keqpërdorim të votave, pas rënies së ueb faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin Zejnullah Gashi, kryeprokurori i Prishtinës.

“Prokuroria në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së”, tha Gashi për Telegrafin.

Ndërkaq, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.

Ndryshe, në mbrëmjen e 9 shkurtit, në ditën e zgjedhjeve janë hasur probleme në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /Telegrafi/

Exit mobile version