Në Austri është duke u rritur numri i të infektuarve me coronavirus, por edhe numri i viktimave – deri më tani në këtë vend nga pasojat e COVID-19 kanë humbur jetën katër persona.
Siç raportojnë mediat austriake, në Vjenë ka ndërruar jetë një grua 48-vjeçe e cila për shkak se ishte infektuar u vetëizolua në shtëpinë e saj, transmeton Telegrafi.
Ajo ende nuk po llogaritet zyrtarisht si viktimë e coronavirusit, pas pritet të dalin rezultatet e obduksionit që zbulojnë shkakun e vdekjes. Deri më tani nuk dihet nëse kjo grua ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër.
Por, ajo çfarë dihet është se kishte rezultuar pozitive në testin e coronavirusit, dhe se kishte vendosur të vetëizolohet pasi asokohe nuk kishte simptoma edhe aq të theksuara.
Në Austri aktualisht në qendrën e kujdesit intensiv janë shtrirë 12 persona, kurse 100 tjerë me simptoma më të lehta. E mbi 1 mijë tjerë të infektuar janë vetëizoluar nëpër shtëpitë e tyre. /Telegrafi/