Pablo Sarabia është një futbollist i rritur në akademinë e Real Madridit, por pa arritur ta bëj ëndrrën realitet që të lë gjurmë me ekipin e parë.
Sulmuesi spanjoll në fakt e ka zhvilluar vetëm një ndeshje zyrtare me ekipin A të Real Madridit, atë 18 minuta në Ligën e Kampionëve në vitin 2010 ndaj AJ Auxerre.
Sarabia u largua në drejtim të Getafes ku kishte më shumë hapësira, para se të luante edhe me Sevillën në La Liga dhe me PSG e Sporting Lisbonën ku është aktualisht i huazuar nga parisienët.
Mediumi portugez O Jogo ka raportuar se Sarabia është në listën e dëshirave të Real Madridit për edicionin e ri.
Reprezentuesi spanjoll është huazuar te Sportingu nga PSG dhe po bën mjaftë mirë këtë edicion duke shënuar gjashtë gola e duke asistuar në pesë të tjerë.
Gjithnjë sipas mediumit portugez, Real Madrid po e shohin anësorin si zëvendësuesin adekuat të Gareth Bale i cili do të largohet në verë.
PSG është e gatshme ta shesin yllin spanjoll, pasi do të hiqnin dorë nga paga e tij e lartë prej pesë milionë eurove në stinor. /Telegrafi/