Real Madridi shpall të ardhura rekorde për sezonin 2024/25
Real Madridi ka publikuar raportin financiar për sezonin 2024/25, duke shënuar rezultate rekord në të ardhura dhe fitime.
Të ardhurat e klubit, pa përfshirë transferimet, arritën në 1.185 miliardë euro – një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar kështu një rekord historik për klubin.
Fitimi neto ishte 24.3 milionë euro, një rritje prej 56% nga viti paraprak, ndërsa EBITDA (fitimi para interesave, taksave, amortizimit dhe zhvlerësimit) arriti gjithashtu një nivel rekord prej 242.9 milionë eurosh.
Kapitali i Real Madridit është rritur në 598 milionë euro. Klubi raportoi një raport borxhi ndaj kapitalit në nivelin 0, duke theksuar "aftësinë maksimale paguese dhe pavarësinë absolute financiare".
Borxhi neto i klubit, duke përjashtuar kreditë për rinovimin e stadiumit “Santiago Bernabeu”, është vetëm 12 milionë euro.
Sa i përket kredive për stadiumin, bilanci i papaguar i tyre mbetet në 1.132 miliard euro. /Telegrafi/


