Një nga përballjet më të zjarrta të këtij sezoni do të luhet nesër (e martë) teksa Bayern Munichu do të jetë nikoqir i Real Madridit në duelin e parë të fazës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Real Madridi arriti të kualifikohet në këtë fazë pas një sfide tejet të vështirë ndaj Manchester Cityt, aty ku gjetën triumfin pas ekzekutimit të penalltive.
Bayerni në anën tjetër, e eliminoi kandidatin për titull në Ligën Premier, Arsenalin, për t’ia servuar shikuesve atë që shumëkush e konsideron si ‘klasikja e futbollit evropian’.
Para ndeshjes së nesërme, ish-legjenda gjermane Lothar Matthaus, ka dhënë parashikimin e tij. Sipas Matthaus, Bayerni është favorit për të fituar ndaj Real Madridit, për të cilët beson se ishin me fat ndaj Manchester Cityt në çerekfinale.
“Bayerni është favorit i lehtë ndaj Real Madridit. Arsyeja? Real Madridi ishin me fat që avancuan ndaj Manchester Cityt. Kam dëgjuar se disponimi në zhveshtoren e Bayernit është shumë i mirë, për herë të parë që një kohë të gjatë”, ka thënë Matthaus.
Real Madridi vjen në këtë ndeshje pas një periudhe dy javore mjaft të suksesshme, ku arritën të fitojnë ndaj Manchester Cityt, Barcelonës dhe së fundmi Real Sociedadit.
Bayerni në anën tjetër është gjithashtu në një moment mjaft të mirë, pasi nuk kanë humbur në asnjërën prej pesë takimeve të tyre të fundit në të gjitha garat./Telegrafi/