Site icon Telegrafi

Real Madrid tashmë ka problemin e parë serioz me Mbappen

Real Madridi tashmë thuhet se ka kompletuar transferimin e Kylian Mbappes (ndonëse jo-zyrtarisht) dhe, tani, ata kanë dy çështje për të zgjidhur: së pari, ata po kërkojnë të dinë se kur do të zyrtarizohet bashkimi i tij me skuadrën. E dyta është të dihet se kur do të debutojë me fanellën e Real Madridit, diçka që tifozët ‘merengues’ e kanë dëshiruar prej disa sezonesh.

Në ‘El Bar’, të moderuar nga Sique Rodriguez, Anton Meana u befasua me mundësinë më se realiste të pjesëmarrjes së Kylian Mbappes në Lojërat Olimpike të Parisit, madje edhe pasi kishte nënshkruar për Real Madridin: “Më duket shumë e rëndësishme që ‘Mbappe nënshkroi për Realin Madridin dhe gjëja e parë që do të bëjë është të luajë në Lojërat Olimpike”, deklaroi ai. Meana vazhdoi argumentin e tij dhe theksoi se “nëse nënshkruan për Real Madridin, ajo që duhet të bëjë është të luajë për Real Madridin”.

Për të, Lojërat Olimpike janë “një ngjarje në të cilën duhet të marrin pjesë futbollistët nën 23 ose 21 vjeç”. Me pak fjalë, është për lojtarët që e kanë merituar të jenë në atë event të rëndësishëm për faktin e thjeshtë se kanë qenë në ndeshjet e mëparshme që çuan çdo skuadër të kualifikohej në eventin e madh në Paris. Sipas Meanës, Lojërat Olimpike nuk janë “për një futbollist të njohur”.

Për të, një futbollist i njohur si Lionel Messi do të ketë qenë shumë më i emocionuar për të fituar Kupën e Botës sesa për të fituar medalje olimpike. “Futbolli nuk ka të njëjtën peshë si 100 metra (vrapim) apo basketbolli në Lojërat Olimpike”, shtoi ai.

“Ata kanë shpikur që futbolli është olimpik dhe nuk është. Mbappe, Griezmann, Ramos, Pique nuk kanë asnjë kuptim”, ka përfunduar Meana në “El Bar”.

Lexo po ashtu Në orë, ditë, javë, muaj dhe vit - publikohen detajet e pagës së Mbappes te Real Madridi

Realiteti është se vera nuk do të jetë e lehtë për Kylian Mbappen dhe përshtatjen e tij në Real Madrid. Pas përfundimit të sezonit me Paris Saint Germain, francezi do të përqendrohet me ekipin e tij për të pasur një parasezon të mirë.

Menjëherë pas finales së Euros, gjithçka tregon se ai do të ketë një pushim të shkurtër përpara se të përgatitet për Lojërat Olimpike. Fundi i Lojërave Olimpike praktikisht do të përkojë me fillimin e La Ligës në Spanjë, kështu që ai nuk do të ketë pasur një parasezon me Real Madridin për t’u përgatitur për sezonin e tij të parë me fanellën e bardhë. /Telegrafi/

Exit mobile version